Kosova

Kosova gati për të nisur reciprocitetin me Serbinë, zbatohet nga 1 gushti

Kosova do të nisë zbatimin e reciprocitetit për të gjithë qytetarët që hynë nga Serbia me dokumente serbe të identifikimit.

Ashtu siç parashikohet me vendim të Qeverisë së Kosovës, nga data një gusht çdo person që paraqitet për kalim të kufirit shtetëror me dokument identifikimi personal të lëshuar nga autoritetet e Serbisë, do të pajiset në pikë-kalimet kufitare me një dokument hyrje/dalje që përkohësisht e zëvendëson përdorimin e dokumentit të tillë.

“Dokumenti hyrje/dalje do të krijojë bazë për qarkullim në territorin e Republikës së Kosovës dhe për shfrytëzim brenda institucioneve shtetërore. Me qëllim të zbatimit të vendimit, mundësimit të pajisjes më të shpejtë me dokument hyrje/dalje për qytetarët që kanë nevojë, shmangies së pritjeve dhe mundësimit të qarkullimit më të lehtë kufitar, Policia e Kosovës ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme policore, si në aspektin e burimeve njerëzore, po ashtu edhe në ato teknike e logjistike”, ka njoftuar Policia.

Pavarësisht kundërshtive që ngjalli ky vendim në Serbi, autoritetet në Kosovë duken të vendosura ta zbatojnë atë.

Dokumenti që do të zëvendësojë pasaportën serbe do të përdoret që në hyrje në territorin e Kosovës po ashtu gjatë takimeve në institucionet kosovare dhe do te jete i vlefshëm për 90 ditë.

Policia sqaron se kjo procedurë do të ndiqet edhe për personat e moshës nën 16 vjeç, të cilët nuk posedojnë dokument identifikimi, me kusht që të kenë me vete certifikatën e lindjes me fotografi.

Gjithashtu Ministria e Punëve të Brendshme u ka bërë thirrje qytetarëve serbë që jetojnë në Kosove të zëvendësojnë targat e automjeteve të tyre me ato të Republikës së Kosovës. Regjistrimi nis prej datës 1 gusht.

Heqja e targave serbe ishte parashikuar në Marrëveshjen për lirinë e lëvizjes, të cilën Kosova dhe Serbia e arritën në vitin 2011, por ajo nuk u zbatua asnjëherë në veri të Kosovës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë