Kosova

Kosova ftohet nga Trumpi që të jetë pjesë e Bordit të Paqes për Gazën

Nga Gazeta ‘Si’- Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi se ka pranuar ftesë personale nga udhëheqësi amerikan, Donald Trump, që ta përfaqësojë vendin në Bordin e Paqes, “si anëtare themeluese”.

Ky bord pritet të mbikëqyrë udhëheqjen e Rripit të Gazës, pasi Shtetet e Bashkuara ndërmjetësuan një marrëveshje armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Uashingtoni dhe Bashkimi Europian.

“Lidershipi i guximshëm nuk flet thjesht për paqe, ai e ndërton atë. Pikërisht këtë po e bën presidenti Trump nëpërmjet kësaj iniciative historike”, shkroi Osmani në Facebook më 21 janar, teksa publikoi ftesën e dërguar nga presidenti amerikan, Donald Trump.

Presidentja kosovare tha se SHBA-ja solli paqen në Kosovë dhe Kosova sot është aleate “e palëkundur e saj për ta çuar paqen më tej”.

“Historia i mban mend ata që bëjnë hapa të guximshëm në ndërtimin e paqes – dhe ne jemi gati”, shkroi ajo.

Në letrën e Trumpit, që mban datën 20 janar, thuhet se më 29 shtator të vitit 2025 ai njoftoi për Planin gjithëpërfshirës për t’i dhënë fund konfliktit në Gazë, përmes një plani 20-pikësh “që shpejt u mbështet nga të gjithë liderët botëror”. Aty përmendet edhe një rezolutë e Kombeve të Bashkuara që mbështet këtë plan.

“Tani është koha që t’i bëjmë këto ëndrra realitet. Në zemër të planit është Bordi i Paqes, që është bordi më mbresëlënës i themeluar ndonjëherë”, thuhet në letrën e Trumpit.

Trump thotë se pret që të punojë me Osmanin për “shumë kohë në të ardhmen, drejt arritjes së qëllimit për paqe të qëndrueshme botërore, mirëqenie dhe madhështi për të gjithë”.

Disa media ndërkombëtare, duke u thirrur në burime, kanë raportuar se Trump dëshiron që shtetet të paguajnë 1 miliard dollarë për të qenë anëtarë të përhershëm. Sipas CNN-it, ata që nuk e paguajnë këtë shumë do të kenë një mandat trevjeçar.

Këshilltari për media i Osmanit, Bekim Kupina i tha Radios Evropa e Lirë se një pagesë e tillë nuk është kërkuar.

“Pra nuk është kërkuar pagesa prej 1 miliard dollarësh. E shihni edhe vet në ftesë”, tha ai.

Përveç Kosovës, edhe Shqipëria dhe shtete të tjera kanë pranuar ftesa të tilla.

Ditë më parë u publikuan disa emra të tjerë që janë emëruar nga SHBA-ja për të qenë pjesë e këtij bordi.

Mes emrave përfshihen sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i dërguari i posaçëm i presidentit Trump, Steve Witkoff, ish-kryeministri britanik, Tony Blair, dhe dhëndri i Trumpit, Jared Kushner.

Trump është kryetar i bordit, sipas një plani që Shtëpia e Bardhë e tij e bëri publik në tetor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë