Gazeta Si – Kosova feston këtë të premte 15-vjetorin e Pavarësisë, e cila u shpall më 17 shkurt të vitit 2008.
Kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi lexoi deklaratën e Pavarësisë dhe u miratua nga Kuvendi në një mbledhje të jashtëzakonshme.
Më 22 korrik 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë rikonfirmoi se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës nuk kishte shkelur asnjë nen të Ligjit Ndërkombëtar dhe si e tillë shpallja e Pavarësisë ishte legjitime.
Në një mbledhje të jashtëzakonshme ku merrnin pjesë 109 nga gjithsej 120 deputetë, Kuvendi i Kosovës njëzëri shpalli Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.
Ligjshmëria e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës për një kohë ka qenë temë e diskutueshme. Serbia duke kundërshtuar Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës kërkonte vlerësimin e vlefshmërisë ndërkombëtare dhe mbështetje për pozicionin e saj, gjoja se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës ishte e paligjshme.
Shpallja e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, ishte kurorëzim i një rrugëtimi të gjatë e të vështirë për qytetarët e Kosovës.
Për vite me radhë qytetarët e Kosovës vuajtën pasojat e spastrimit etnik nga regjimi serb i Sllobodan Millosheviçit, gjë e cila rezultoi më një Luftë Çlirimtare (1997-99).
Pas përfundimit të Luftës Çlirimtare të Kosovës u bë edhe vendosja e trupave paqeruajtëse ndërkombëtare në Kosovë.
Pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe të Policisë së Kosovës kanë parakaluar në sheshet e Prishtinës, në shënimin e 15-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Qytetarë të shumtë ndoqën këtë ngjarje, teksa në Kosovë u mbajtën manifestime të ndryshme për të shënuar 15-vjetorin e shtetësisë.









Më herët gjatë ditës, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë para Kuvendit të Kosovës se përgjatë 15 vjetëve të shtetësisë, Kosova është forcuar si vend i ri.
“Kosova ka dëshmuar kulturë demokratike në organizimin e jetës politike dhe funksionimin e institucioneve”.
Kur ka folur për sfidat – brenda dhe jashtë territorit– ajo ka thënë se ato e kanë forcuar qëndrueshmërinë e shtetit.
“Këto sfida janë të pranishme edhe sot, kur Kosova, falë përcaktimit të saj të hershëm, po përpiqet që të fuqizojë edhe më tej pozitën e saj ndërkombëtare drejt integrimit të vendit në strukturat euro-atlantike”.
Duke përmendur në veçanti sfidat me Serbinë, ajo ka thënë se populli “duhet të jetë një”.
“Si gjithnjë, ne duhet të reflektojmë maturi, të bashkëndjejmë dhe të bashkëveprojmë karshi këtyre sfidave. Forcimi i mëtejmë i shtetit të Kosovës është mision i gjithsecilit”, ka thënë ajo.


Kur ka folur për aleatët, ajo ka përmendur se “siç e kemi kurorëzuar lirinë me ndihmën e tyre, njësoj shpresojmë ta përmbyllim edhe procesin e integrimeve evropiane me ndihmën e tyre”.
Përgjatë fjalimit të saj, ajo e ka përmendur edhe dialogun me Serbinë.
“Procesi i dialogut me Serbinë e ka një epilog. Një epilog që e kemi thënë secili prej nesh, një epilog që e rikonfirmoi edhe presidenti [amerikan, Joe] Biden në letrën që është drejtuar mua si presidente, e ajo është njohja reciproke”.
“Tërësia territoriale, kushtetutshmëria, rendi juridike dhe sovraniteti jonë janë të panegociueshme”, ka thënë mes tjerash Osmani.
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se këtë herë festa ka nisur me mbledhje qeveritare sepse duan të përçohet mesazhi se përveç festës, Kosovës i duhet edhe puna, se “pavarësia jonë u arrit përmes luftës dhe sakrificës, por pavarësia jonë do të rritet vetëm përmes punës”.
Kurti ka veçuar dy përgjegjësi që duhet t’i kenë të qarta të gjithë shqiptarët e Kosovës. “Te përgjegjësitë tona duhet dalluar dy gjera, e para të kemi parasysh trashëgiminë tonë, amanetin e gjeneratave që kanë dhënë djersën e gjakun për lirinë e Kosovës edhe nuk kanë arritur ta shijojnë atë. Çdo ditë e jona duhet të nisë me përkujtimin e këtij amaneti. Ky amanet është i paneglizhueshëm sepse nuk erdhëm këtu nga zeroja, Kosova nuk është produkt i rastësisë por i historisë së vet. E dyta, duhet të kemi parasysh të rinjtë, edhe atyre që nuk kanë lindur ende e të cilëve duhet tu lëmë një Kosovë më të mirë sesa ajo që e kemi gjetur”, ka theksuar Kurti.
Gëzuar Ditën e Pavarësisë së Kosovës vëllezërve e motrave tona në 🇽🇰&të gjithë 🇦🇱 kudo që janë! Një ditë për t’u ndjerë krenarë për sa shumë ê arritur në këto 15 vjet&për të kujtuar me nderim të gjithë ata që punuan e luftuan duke sakrifikuar gjithçka për Kosovën e pavarur.🇦🇱🫶🇽🇰 pic.twitter.com/HIPtSirSkB
— Olta Xhaçka🇦🇱 (@xhacka_olta) February 17, 2023
Duke folur përpara deputetëve të Kosovës, Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka uruar 15-vjetorin e Pavarësisë duke dhënë një mesazh edhe për tensionet me Serbinë. Begaj tha se duhet të bashkëpunojnë për stabilitet dhe paqe në rajon.
“Në këtë ditë të shënuar, me mirënjohje kujtojmë Adem Jasharin, UÇK, luftëtarët e lirisë që edhe sot na frymëzojnë për të mbrojtur të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen e një kombi. Kërkojmë sot liderin e forcës së durimin, shqiptarin që çoi përpara kauzën e Republikës së Kosovës dhe ruajti paqen, kujtojmë presidentin Rugova, president i paqes në rajon. Ju uroj sukses e hapa sa më të shpejtë për anëtarësim në NATO dhe organizata të tjera. Kosova është shtet i lirë e i pavarur, sido që të veprojë Serbia. Qeveria serbe nuk është distancuar nga agresori dhe as ka ndaluar aktivitetin e saj kundër njohjes së republikës së Kosovës. Serbia duhet të bashkëpunojë me Kosovën për stabilitet dhe ruajtjen e paqes në rajon. Ne ballkanasit nuk jemi larg njëri-tjetrit po jemi shembull që distancat s’janë as kriter as pengesë për t’ju gjendur pranë njerëzve e popujve. Gëzuar ditën e pavarësisë së Kosovës, shtet përjetë”, tha Begaj.
Pavarësinë e Kosovës e ka uruar edhe Kryeministri Edi Rama, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale. “Gëzuar Pavarësinë Kosovë”, shkruan Rama, krahas një foto të shpërndarë në rrjet.
Edhe ministrja jonë e Jashtme Olta Xhaçka ka uruar Pavarësinë e Kosovës nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale.
Ndërsa Presidenti i Shqipërisë ndodhet që prej të enjtes në Kosovë ku u prit nga homologia e tij Vjosa Osmani dhe do të jetë i pranishëm edhe në aktivitetet e sotme që do të zhvillohen në Prishtinë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




