Kosova

Kosova feston sot 14-vjetorin e Pavarësisë

Gazeta Si - Këtë të enjte, 17 shkurt 2022, shënohen 14 vite nga shpallja e pavarësisë së shtetit më të ri në Evropë, Kosovës.

Kosova, e cila u bë sovrane me institucione të pavarura dhe smibole unike shtetërore, njihet nga 117 shtete në të gjithë botën.

Kryeqyteti i vendit, Prishtina, është stolisur pothuaj i tëri me flamuj të Kosovës. Këtë vit monumenti “New Born” i dedikohet grave dhe vajzave të suksesshme në sport, muzikë film si dhe atyre që abuzohen e vriten nga familjarët e tyre në shtëpitë e tyre.

Ndërkohë janë parashikuar aktivitete të ndryshme për këtë ditë, duke nisur me  ngritja e flamurit, seanca solemne e Kuvendit të Kosovës, parakalimi i Forcave të Sigurisë së Kosovës dhe Policisë.

Si çdo vit që tashmë është bërë traditë nuk do të mungojnë vizitat në kompleksin memorial Adem Jashari dhe te varri i presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova. Do të ketë edhe program të përbashkët të asambleve kombëtare të valleve të Shqipërisë dhe Kosovës.

Në mbrëmjen e sotme Komuna e Prishtinës ka organizuar disa performanca që përfundojnë me grupin “Minatori”

Shpallja e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, ishte kurorëzim i një rrugëtimi të gjatë e të vështirë për qytetarët e Kosovës. Për vite me radhë qytetarët e Kosovës vuajtën pasojat e spastrimit etnik nga regjimi serb i Sllobodan Millosheviçit, gjë e cila rezultoi më një Luftë Çlirimtare (1997-99). Pas përfundimit të Luftës Çlirimtare të Kosovës u bë edhe vendosja e trupave paqeruajtëse ndërkombëtare në Kosovë.

Në këtë ditë të shënuar, politika shqiptare ka uruar 14-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Kryeministri Edi Rama ka publikuar një video në rrjete sociale, me imazhe nga lufta e deri te shpallja e Kosovës shtet i pavarur. “Mirëmëngjes. Urime të gjithë shqiptarëve ditën e bekuar të pavarësisë së Kosovë”, shkruan Rama.

Kryedemokrati Lulzim Basha shkruan se përulet me nderim dhe mirënjohje para presidentit Ibrahim Rugova, Adem Jasharit dhe të gjithë ushtarëve që luftuan për Kosovën.

“Gëzuar Pavarësinë Kosovë! Gëzuar këtë ditë fatlume shqiptarëve kudo në botë. Në përvjetorin e 14-të të shtetit të Kosovës, përulemi me nderim dhe mirënjohje para Presidentit Ibrahim Rugova, Komandantit Legjendar Adem Jashari, luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, veprimtarëve, patriotëve, bijëve dhe bijave të kombit tonë që kanë kryer sakrificën më sublime për pavarësinë.

Kjo ëndërr e bukur lirie, është sot demokracia më e gjallë e rajonit që, pavarësisht vështirësive, gëzon tashmë rrënjët e forta të një shteti me institucione të konsoliduara dhe stabilitet politik, i cili punon me vullnet dhe përkushtim të jashtëzakonshëm për integrimin euroatlantik. Edhe në këto kohë sfiduese, jam krenar për arritjet e deritanishme dhe shpresëplotë për të ardhmen e Kosovës, me të cilën do të ecim vllazërisht përpara, drejt fatit tonë europian. Gëzuar Kosovë e dashur”, shkruan Basha.

Me një urim për Kosovën e ka nisur mëngjesin edhe presidenti Ilir Meta. Me anë të një postimi në Facebook, Kreu i Shtetit i shpreh mirënjohjen dëshmorëve, luftëtarëve dhe etërve të Pavarësisë së Kosovës. “Gëzuar Kosovë e dashur! Mirënjohje përjetë Heronjve, Dëshmorëve, luftëtarëve dhe etërve të Pavarësisë së Kosovës! Shqipëri-Kosovë gjithmonë krah njëra-tjetrës”, shkruan Meta. “17 shkurti është ditë gëzimi për mbarë kombin shqiptar! Gëzuar ditën e pavarësisë Kosovë“, uron kryetarja e LSI Monika Kryemadhi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë