Kur dolën në konferencë për shtyp, i vetmi që kishte nevojë për përkthyer nga gjuha serbo kroatishte ishte kryeministri Edi Rama, i zoti i shtëpisë. Ndërsa presidenti serb Aleksandër Vuçiç , ai malazez Milo Gjukanovic dhe kryeministri maqedonas Zoran Zaev e kuptonin njëri tjetrin pa ndërmjetës. Ndoshta po të ishte Hashim Thaçi, presidenti i Kosovës ai do ti kuptonte të dyja gjuhët, pa përkthim, edhe shqipen e kryeministrit Rama, edhe serbo-kroatishten e udhëheqëseve të tjerë. Por Kosova megjithëse nuk ishte aty , ajo ishte fantazma e samitit të mbajtur në Tiranë.
Zoti Rama e nisi dhe e mbylli fjalën e tij me Kosovën. Duke iu referuar herë herë liderëvë të Kosovës si vëllezër dhe herë herë si shkaktarë të përjashtimit të Prishtinës, kreu i qeverisë shqiptare i kërkoi që t’i bashkoheshin në tryezën e radhës të këtij samiti.
Kryeministri Rama u tha aktorëve politike në Prishtinë se po çojnë në izolimin e vendeve të tyre, duke theksuar herë pas herë se kjo nismë gëzon mbështetjen e SHBA-së dhe Komisionit Europian.
“I kemi ftuar edhe në Tiranë, si edhe më parë, të gjithë dhe më lejoni ta them hapur se për mua refuzimi i përsëritur i autoriteteve të Kosovës për të marrë pjesë në këtë tryezë është i pakuptueshëm, dhe mendoj se është i dëmshëm për vetë Kosovën. Ne jemi këtu për të ndërtuar urën midis së shkuarës që na ndan dhe një të ardhmeje që na bashkon”, tha Rama gjatë konferencës për shtyp.
Zaev, Gjukanovic dhe Vuçiç që ndodheshin në krah të tij u përqendruan tek përfitimet që do të sillte kjo iniciativë, duke theksuar vazhdimisht se të gjitha vendet e rajonit do të dilnin të fituara nga lëvizje e lirë e njerëzve dhe mallrave. Por Kosova duket se ishte “mina me sahat” që rrihte në mendjet e gjithë secilit prej tyre.
I pari që theu akullin ishte presidenti malazez Milo Gjukanovic, i cili tha se Bosnja dhe Kosova mund të zgjidhnin t’i bashkoheshin tërërisht kësaj nisme, ose të bëheshin pjesë e vetëm disa prej marrëveshjeje që parashikonte Shengeni Ballkanik.
“Kjo nismë është gjithëpërfshirëse dhe duhet t’i bashkohemi të gjithë”, tha kreu malazez, i cili iu bashkua samitit në ditën e dytë të tij.”Është një nismë që shërben si shtysë për integrimin europian dhe duhet të na bashkojë të gjithëve”, shtoi ai.
Kryeministri Zaev, qëndronte krah tij më optimist, duke deklaruar se shpresonte që samiti i ardhshëm të mbahej në Prishtinë, deklaratë që bëri presidentin Vuçiç të kthente menjëherë kokën. Afati për nënshkrimin e kësaj nisme rajonale që bëri bashkë katër liderët në Tiranë nuk dihet ende, por Zaev sinjalizoi se përpjekjet për përfshirjen e Kosovës do të vazhdonin.
“Takimi tjetër do të jetë në Beograd dhe më pas do të kemi një samit në Malin e Zi. Më pas do të jemi të gëzuar të vazhdojmë në Sarajeve apo në Prishtinë. " tha Zaev.
Edhe ose kryeministri Rama dukej më indinjuari për mospjesëmarrjen e Kosovës, komentet nuk munguan nga presidenti serb Aleksandër Vuçiç.
Për presidentin serb, ky nuk ishte një udhëtim i lehtë, për shkak të protestave të vazhdueshme kundër ardhjes së tij në Tiranë. Aktivistët të Lëvizjes Vetëvendosje i kërkuan të njihte krimet e luftës dhe masakrën e Recakut. Ai e nisi konferencën e përbashkët me përfitimet që kjo nismë do të sjëllë për qytetarët e rajonit, por e mbylli me Kosovën.
Duke thënë se rajoni duhet të zgjidhte mes të ardhmes apo luftës, presidenti serb i dërgoi një mesazh Prishtinës, duke thënë se zoti Rama nuk ka përse të mbrohet kaq shumë për këtë projekt. “Nga kush po mbrohet miku im Edi”, pyeti Vuçiç, edhe pse duket ta kishte të qartë përgjigjen në mendjen e tij.
"U zemërova me mikun tonë Edi se gjithë kohës duket si mbrohet? Pse të mbrohemi nga ata që duan të na çojnë mbrapa në shekullin e 16-17? Që duan të na shohin sërish të luftojmë me njëri-tjetrin? Apo të mendojmë se si ta ndihmojmë njëri-tjetrin", tha Vuçiç.
I pyetur nëse i kishte vënë kushte të reja Kosovës, Vuçiç duket se përsëriti ftesën e Zaevit, Gjukanovicit dhe Ramës për Kosovës.
"Nuk ka kushte për asnjë, të gjithë janë të mirëpritur", tha kreu i shtetit serb.
“Fantazma” e Kosovës duket se do ta përndiqte kreun e qeverisë shqiptare edhe pas samitit të përbashkët, gjatë deklaratës për shtyp me gazetarët, ku deklaroi se Prishtina ndodhej tanimë në qorrsak politik, edhe për shkak të vonesës së formimit të qeverisë.
Zotit Rama siguroi po ashtu se Serbia nuk ka vendosur asnjë kusht për Kosovën dhe kjo e fundit mund të vijë në tryezë edhe duke bashkëpunuar vetëm me Shqipërinë apo me Maqedoninë e Veriut.
"Nëse Kosova hyn që këtë marrëveshje që Shqipëria e bën me Serbinë ta bëjë edhe me mua, s'dua ta bëjë me Serbinë por me Malin e zi apo Shqipërinë, nuk i thotë njeri që ta bëjë me të gjitha." tha Rama. “Kosova duhet të jetë në tryezë”, kreu i qeverisë shqiptare.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të Gazetës Si, nëse Shengeni ballkanik do të shërbente si një iniciativë që mund ta shtynte Serbinë të njihte pavarësinë e Kosovës, kryeministri Rama tha se: Është cmenduri që debati që zhvillohet. Janë në letra të gjitha të dakordësuara. Referojuni takimeve dhe Berlinit. Kemi qenë aty. Sikur e patë presidentin Serb për herë të parë. Ka vetëm një të re lëvizjen e njerëzve. Ne nuk kemi kufi tokësor me Serbinë, kemi me Malin e Zi, Kosovën dhe Maqedoninë. Nëse me politika e sjellim Serbinë në pozicione për ta pranuar këtë që të mos kërkojnë kushte për Kosovën".
Shefi i qeverisë solli në vëmendje takimin në Beograd kur kërkoi njohjen e Kosovës nga Serbia, por tha se ai nuk është as hero as tradhtar, pasi sipas tij e gjitha po ndodh për qëllime të brendshme politike të ditës në Kosovë. Rama tha se Kosova është në gabim, dhe se vendi i saj është krah Shqipërisë në nismën e mbështetur nga miqtë më të rëndësishëm ndërkombëtare, SHBA, BE, që sipas Ramës janë të shqetësuar nga refuzimi i Kosovës për të marrë pjesë në tryezën e Samitit të Shengenit Ballkanik.
"Dje isha hero kur kërkova njohjen e Kosovës nga Serbia në Beograd, unë nuk jam as hero as tradhtar. Çfarë do thoni kur Kosova të vijë nesër në këtë tryezë, që i harruan krimet”, pyeti Rama.” Jeni gabim vëllezër, jeni shumë gabim. Kosova nuk ka nevojë për një garë të brendshme se kush izolohet më shumë, apo kush shpik më shumë formula zhvillimi ekonomik që nuk qëndrojnë as në qiell as në tokë. Kosova duhet të qëndrojë afër Shqipërisë dhe miqve, që janë SHBA dhe BE”, deklaroi zoti Rama.
Ai nuk i kurseu kritikat për kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj të cilin e quajti një gënjeshtar dhe të paditur për sa i përket deklaratës që ky i fundit bëri në lidhje me Mini Shengenin ballkanik.
"Në çfarë forme bëhet kjo. Nuk ka asnjë nyje detyruese. Ai është një gënjeshtar që gënjeu përsëri. Nuk e di nëse e bën nga padituria apo cfarë. Ka vetëm një qëllim nisma, të zbatojë marrëveshjet e bëra më parë mes të gjitha vendeve. Në këtë proces ne duam të fusim edhe zhbllokimin e ngërçit për energjinë. Por kjo nuk bëhet në facebook. Kjo është një gënjeshtër nuk ka asnjë lloj detyrimi në këtë aspekt. Nëse Kosova hyn që këtë marrëveshje që Shqipëria e bën me Serbinë ta bëjë edhe me mua, s'dua ta bëjë me Serbinë por me Malin e zi apo Shqipërinë, nuk i thotë njeri që ta bëjë me të gjitha. Kjo është një rrugë qorre ku ndodhet Kosova”, përfundoi kryeministri fjalën e tij.
Samiti në Tiranë zhvillua nën një atmosferë proteste , të cilat u mbajtën jo vetëm në rrugë por edhe në rrjetet sociale. Madje edhe në strehën digjitale të kryeministrit, gjatë kohës që konferenca jepej live në profilin e zotit Rama në Facebbok, numri i ndjekësve ra me gati 400.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.