Një ekip që të gëzon me lojën që bën dhe që jep shpresë për një të ardhme të ndritur. Kosova nuk arriti dot të fitonte në ndeshjen e parë eliminatore për kampionatin europian me Bullgarinë edhe pse e meritoi t’i merrte tre pikët. Me Bullgarinë ekipi i Shallandes është ndalur në një barazim 1-1 në Prishtinë.

Në pjesën e parë, në momentin më të mirë të Kosovës, Bullgaria kaloi në avantazh. Ishte Bozhikov në minutën e 39’ që ndëshkoi Kosovën, duke kaluar në avantazh miqtë bullgar. Edhe pas këtij goli “dardanët” nuk u demoralizuan, por vijuan të sulmojnë. Në pjesën e dytë Kosova do të dominonte totalisht lojën, duke kërkuar të barazonte. Pas një sërë tentativash, ishte Zeneli ai që gjeti goli. 23-vjecari pas një inkursioni personal, gjuajti nga larg dhe e dërgoi topin në cepin e portës, ku ishte e pakapshme për portierin bullgar.

Pas këtij goli, Kosova kishte edhe disa raste të tjera për të shënuar rrjetën e fitores, por mungesa e eksperiencës përcaktoi shumë fatin e kësaj përballje duke i mohuar fitoren ekipit kosovar. Kjo ishte ndeshja e parë në histori për Kosovën në një kualifikuese europiani, ndërkohë që në të kaluarën kishte luajtur për kualifikuese për botëror dhe Ligën e Kombeve. Me këtë barazim, në stadiumin “Fadil Vokrri” Kosova merr kështu rezultatin e 12-të pozitiv radhazi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




