Kosova do ta shqyrtonte mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale serbe, nëse Beogradi zyrtar i dërgon kërkesë Qeverisë së Kosovës, tha të hënën(14 mars)shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila.
“Përgjigja e institucioneve të Kosovës, tashmë e konfirmuar edhe në nivel të legjislativit, është që vetëm në një pranim të kërkesës zyrtare nga shteti i Serbisë drejtuar shtetit të Kosovës me kërkesë bazuar në ligjet e aplikueshme të Kosovës dhe në praktikat evropiane, do të shqyrtohej ajo kërkesë dhe do të merrej vendimi për apo kundër mbajtjes së zgjedhjeve”, tha Kusari-Lila pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.
Ajo shtoi se deri më tani nuk ka ndonjë kërkesë zyrtare nga Serbia drejtuar institucioneve të Kosovës. Sipas saj, Beogradi i është drejtuar institucioneve ndërkombëtare për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve, por Kusari-Lila tha se “në Kosovë autoriteti sovran është Qeveria e Kosovës dhe institucionet e Kosovës”.
Serbia do të mbajë zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare më 3 prill.
Ndërkaq, partitë opozitare në Kosovës thanë se presin një koordinim më të mirë mes pushtetit dhe opozitës për këtë temë.
Blerta Deliu-Kodra nga Partia Demokratike e Kosovës tha se beson që “do të kemi një koordinim më të qartë sepse na presin edhe pak ditë deri në mbajtje të zgjedhjeve”.
Ndërkaq, dy partitë e tjera opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës thanë se Qeveria e Kosovës duhet të respektojë obligimet që ka marrë nga një rezolutë e Kuvendit të Kosovës, që u miratua kundër mbajtjes së referendumit të Serbisë për ndryshimet kushtetuese. Ky referendum në Serbi u mbajt më 16 janar.
“Ne presim që Qeveria të sillet karshi obligimeve që ka marrë nga Kuvendi”, tha Driton Selmanaj nga LDK.
Zgjedhjet e fundit parlamentare, që Serbia i organizoi edhe në komunitetin serb në Kosovë u mbajtën më 21 qershor të vitit 2020.
Ato zgjedhje u mbajtën sipas praktikës së mëhershme, ku misioni në Kosovës i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë kishte grumbulluar votat. Kjo praktikë është krijuar më 2017 dhe autoritetet e Kosovës e kishin lejuar këtë gjë.
Burimi: REL
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




