Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë pritet të takohen me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, teksa rrugët që çojnë në dy pikëkalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, për të dhjetën ditë me radhë mbeten të bllokuara.
Qytetarët serbë kanë bllokuar për të dhjetën ditë radhazi me kamionë dhe mjete të tjera të rënda këto dy rrugë nacionale në atë pjesë në shenjë proteste për vendosjen e masës së reciprocitetit për automjetet me targa nga Serbia.
Shefi i delegacionit të Kosovës për dialogun, Besnik Bislimi i pari do të takohet me të dërguarin e BE-së, Lajçak. Më pas i dërguari i BE-së do të takohet me kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkovic. Nga këto takime do të varet se a do të ketë takim trepalësh apo jo.
Në Bashkimin Europian shpresojnë se deri te takimi i përbashkët do të vijë dhe që ai do të prodhojë edhe rezultate konkrete që do të ndihmonin në uljen e tensioneve. Brukseli ka thënë se pret që kryenegociatorët, jo vetëm të jenë të gatshëm të diskutojnë, por edhe të kenë mandat të qartë që të arrijnë ndonjë rezultat në takim.
Është paralajmëruar se në Bruksel do të qëndrojë edhe Zëvendësndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Europën dhe Euroazi, Gabriel Escobar dhe që ai po ashtu do të jetë i përfshirë në përpjekjet e përbashkëta me BE-në për të bindur palët që të gjejnë zgjidhje.
Por, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano ka pohuar që Escobar, i cili njëherësh është edhe i dërguar i Departamentit amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, nuk pritet të marrë pjesë në takimet trepalëshe sepse ato janë format që përfshijnë vetëm delegacionet e Kosovës dhe Serbisë si palë biseduese dhe BE-në në cilësinë e lehtësueses.
Edhe në ditën kur pritet të mbahen takimet në Bruksel, BE-ja ka përsëritur thirrjet që të ulen tensionet dhe të shfrytëzohet dialogu si platforma e vetme për të kërkuar zgjidhje për të gjitha çështjet e hapura mes palëve.
Ndërkohë, në 24 orët e fundit nuk është raportuar për ndonjë incident në afërsi të asnjërës pikë kufitare, Jarinjë e Bërnjak. Njësitë speciale të Policisë së Kosovës po vazhdojnë të qëndrojnë pranë bllokadave, ndërkohë që misioni i KFOR-it ka rritur prezencën në këtë pjesë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




