Samiti mes Serbisë dhe Kosovës në Shtëpinë e Bardhë duket se e ka lënë palën shqiptare dhe atë serbë më pranë arritjes së një marrëveshje përfundimtare. Pas takimit në Uashington me presidentin Aleksandër Vuçiç, kryeministri Avdulla Hoti njoftoi sot se dy palët kanë arritur një marrëveshje mbi bashkëpunimin ekonomik, e cila pritet të nënshkruhet të premten, por nuk ndau detaje mbi paktin mes dy delegacioneve.
Gjatë takimit ishin të pranishëm jo vetëm Këshilltari për Siguri Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Robert O’Brien dhe dërguari i Posaçëm i presidentit amerikan për bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell, por edhe vajza e presidentit Trump, Ivanka. Lajmi u bë i ditur nga Vuçiç, i cili ka deklaruar se ajo mori pjesë në takim si këshilltarja e presidentit.
Hoti nga ana tjetër ka deklaruar se më 4 shtator, pritet të prezantohet marrëveshja për temat ekonomike, që delegacioni i Kosovës dhe ai i Serbisë diskutuan të enjten në Shtëpinë e Bardhë.
Ai tha se këto bisedime paraqesin një hap drejt marrëveshjes finale mes Kosovës dhe Serbisë dhe se takimin e së enjtes në Uashington ishte si historik.
“Nesër presim që ta finalizojmë të gjithë këtë angazhim dhe diskutimet që patëm sot”, tha kryeministri Hoti. “Kemi bërë një hap të madh drejt përmbylljes së marrëveshjes finale”, shtoi ai.
Kryeministri i Kosovës u shpreh i bindur se nuk ka asnjë marrëveshje të dëmshme të propozuar nga Shtëpia e Bardhë, duke theksuar se as nuk është shtruar e as nuk do të shtrohet në tavolinë çështja e diskutimit të territoreve "Për çdo gjë që flasim me Serbinë qëllimi ynë është njohja reciproke", deklaroi Hoti.
Por presidenti serb dha një tjetër version të ngjarjeve. Duke folur para mediave, Vuçic ka thënë se amerikanët kanë plotësuar kërkesën e delegacionin serb, duke kërkuar të hiqet pika e marrëveshjes ku kërkohet njohja e Kosovës.
Vucic deklaroi se zyrtarët e Administratës e Trump ishin të drejtë dhe se pika për njohjen reciproke nuk është më në dokumente e vëna në tavolinën e diskutimeve. Një nga njerëzit më besnik të Vuçiç Ministri i Financave, Siniša Mali, deklaroi sot se shefi i tij ka një letër që i është vënë në tryezë në takimin e Shtëpisë së Bardhë, një pikë e së cilës nënkupton njohjen e ndërsjellë të Serbisë dhe Kosovës, dhe se ekziston një presion i madh ndaj Presidentit Vuçic.
"Temat ekonomike, është e dukshme që nuk janë përparësi, ashtu siç e kemi pritur. Pika e dhjetë e listës që na është prezantuar, flet për njohjen e ndërsjellë, ndërkaq të 16 pikat janë politike dhe jo ekonomike”, tha Malli. Ai vlerësoi që presioni ndaj delegacionit serb është “i madh”.
“Deri tani, ky është propozimi më i keq që e kemi parë në historinë e bisedimeve tona me shqiptarët. Por, nuk do të sprapsemi dhe do të luftojmë”, theksoi Malli gjatë një deklarate për gazetarë para Shtëpisë së Bardhë. I pyetur a mund të pritet që takimet të vazhdojnë edhe nesër, Malli ka theksuar që lidhur me këtë nuk dëshiron të spekulojë.
Por ky lajm u hodh poshtë nga vetë Grenell përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Tëitter.
Nga ana tjetër, këshilltari për Siguri Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Robert O’Brien, ka deklaruar se është arritur progres, por në fuqizimin e marrëdhënieve eknomike.
"Liderët e Serbisë dhe të Kosovës kanë arritur progres. Diskutimet tona këtë mëngjes janë fokusuar në përforcim të lidhjeve ekonomike dhe në normalizim ekonomik. Në pritje për diskutime të mëtejshme këtë pasdite", tha O’Brien në një postim në Twitter.
Të mërkurën O’Brien ka thënë se diskutimet në Shtëpinë e Bardhë, mes përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë, do të çojnë përpara paqen përmes bashkëpunimit ekonomik.
Mësohet se projektet infrastrukturore kanë qënë ndër temat e takimit të liderëve të Kosovës dhe Serbisë. Ekspertet thonë se të premten pritet finalizimi i marrëveshjeve për transportin ajror, rrugor dhe hekurudhor mes Kosovës dhe Serbisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.