Kosova dhe Serbia kanë miratuar një udhërrëfyes për zbatimin e Marrëveshjeve të Energjisë në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Europian në Bruksel.
Këtë e bëri të ditur vetë përfaqësuesi i BE-së për negociatat Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i cili është shprehur i kënaqur me këtë arritje ndërsa pritet që palët të dakordohen edhe rreth përgatitjeve për një takim në nivelin e lartë ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
“Me kënaqësi njoftoj se Kosova dhe Serbia sapo miratuan Udhërrëfyesin për Zbatimin e Marrëveshjeve të Energjisë në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Ky është një hap i madh përpara”, ka shkruar Lajçak në Twitter.
Marrëveshja për energji u arrit në vitin 2013, e pastaj u konfirmua edhe në vitin 2015.
Sipas marrëveshjes së arritur më 2013, punëtorët e “Elektrokosmet” (kompani serbe për energji në veri të Kosovës) duhet të inkuadrohen në kompaninë e regjistruar sipas ligjeve të Kosovës, ose duhet t’iu ofrohet punësim në KEDS.
Deri vonë, qytetarët e komunave veriore të Kosovës, kanë thënë se kanë pranuar fatura për energjinë elektrike nga kjo kompani serbe.
Kosova e konsideron “Elektrokosmet-in” e Serbisë si kompani ilegale.
Burimet e BE-së kanë thënë se do të diskutohet edhe për të pagjeturit. Një deklaratë e përbashkët e Kosovës dhe Serbisë për këtë çështje është gati, por ka mbetur që të saktësohen disa terme që përmenden në të, në mënyrë që ajo edhe të nënshkruhet.
Takimet e sotme në kuadër të dialogut po zhvillohen vetëm dy ditë para se në Bruksel të zhvillohet një takim i liderëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe atyre të 27 vendeve anëtare të Bashkimit Europian.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




