Futboll

Kosova dështon me Andorrën, barazim zhgënjyes në ‘Fadil Vokrri’

Gazeta Si – Ishte menduar një fitore e sigurt për Kosovën, që vinte pas barazimit në Izrael, por skuadra e trajnerit Zhires nuk shkoi më shumë se barazimi edhe ndaj Andorrës. Dy pikë në dy ndeshjet e para kualifikuese janë zhgënjyese për ‘Dardanët’. Barazimi i sotëm 1-1 me Andorrën ëhstë përjetuar si një humbje në Prishtinë.

Edon Zhegrova, i futur në fushë në fillim të pjesës së dytë, shënoi golin e avantazhit në një kundërsulm të shpejtë të Kosovës. Por pa mbaruar festa kosovare, Andorra barazoi me anë të një goditjeje standarde, duke përfituar edhe nga përgjumja e mbrojtjes vendëse.

Stadiumi ‘Fadil Vokrri’ gjate ndeshjes Kosove-Andorra, 1-1. Gazeta Si, 28 mars 2023

Trajneri Zhires bëri dy lëvizje të tjera nga stoli. Kosovarët pretenduan në dy raste për penallti me Rashicën e Muriqin, por në të dy rastet arbitri vazhdoi lojën. Andorra u mbrojt me të gjitha forcat dhe në fund doli me një pikë nga stadium “Fadil Vokrri”.

Kosova bën pjesën në Grupin I, ku kryesojnë Zvicra dhe Rumania nga nga 6 pikë pas 2 ndeshjeve të para kualifikuese. Pas barazimit të sotëm, rruga e ‘Dardanëve’ komplikohet jo pak.

Në ndeshjet e tjera të luajtura sot vlen të përmendet humbja 2-0 e Spanjës në Skoci, ku vendosi një dygolësh i MekTomini. Kroacia fitoi derbin ballkanas me Turqinë në fushën e kësaj të fundit, falë dopietës së Kovaçiç.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë