Futboll

Kosova barazon në Zvicër, por nuk ka më shanse kualifikimi për në Europian

Gazeta Si – Shpresat e Kosovës për një kualifikim të mundshëm në Euro 2024 kanë marrë fund sot. ‘Dardanët’ barazuan 1-1 në Zvicër dhe ky është një rezultat i mirë, por në Gjermani nga Grupi I do të shkojnë Rumania dhe Zvicra.

Një ndeshje para mbylljes së kualifikueseve, Kosova mban vendin e 4-t, me 11 pikë. Skuadra e drejtuar nga trajneri Primoz Gliha kishte shumë mungesa të rëndësishme në Zvicër, megjithatë nuk doli e mundur përballë Granit Xhakës dhe Xherdan Shaqirit dhe para shumë tifozë kosovarë që ishin në stadium.

Muhamet Hyseni, sulmuesi 22-vjeçar i Llapit në kampionatin kosovar, realizoi golin e barazimit në fundin e ndeshjes. Një debutim ëndrrash për lojtarin e ri, i cili mposhti portierin e Interit, Jan Somer, 9 minuta pasi kishte hyrë në fushë.

Xherdan Shaqiri pati një mundësi të mirë në ndeshjen e luajtur në stadiumin “St. Jakob-Park”, por u ndal nga Visar Bekaj, ish-portieri i Tiranës. Zvicra është kualifikuar matematikisht për në Euro 2024.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë