Nga Gazeta ‘Si’- Komisioni Europian ka paraqitur tashmë tre opsione për politikën e zgjerimit ndaj vendeve, dhe pa vendimet e shteteve anëtare nuk mund të ecet përpara.
‘BE-ja duhet të ndryshojë rregullat e saj për të mundësuar një valë të re anëtarësimesh”, deklaroi komisionerja për Zgjerimin Marta Kos në një intervistë publike për Politico, të zhvilluar në kuadër të samitit “Competitive Europe” në Bruksel.
Kos u bëri thirrje gjithashtu shteteve anëtare që nuk mbështesin idetë e Komisionit për zgjerimin, që të paraqesin propozimet e tyre alternative.
Së fundmi, Euractiv raportoi, duke cituar burime jozyrtare, se Komisioni Europian po shqyrton tre opsione kryesore për të ardhmen e politikës së zgjerimit: i pari parashikon ruajtjen e sistemit aktual, i dyti të ashtuquajturin “integrim gradual”, ndërsa i treti një integrim “me faza”, pra “të kthyeshëm”.
Sipas këtij raportimi, “integrimi gradual” nënkupton që vendet kandidate të marrin pjesë në disa iniciativa dhe programe të BE-së pa u bërë anëtare të plota, ndërsa “integrimi me faza” do të thotë që vendet të anëtarësohen më shpejt formalisht dhe më pas të vazhdojnë me reformat.
“Nga diskutimet e para me shtetet anëtare është e qartë se opsioni i tretë nuk është i pranueshëm… do të ishte një revolucion. Por as opsioni i parë, pra status quo-ja, nuk është një zgjidhje”, theksoi Kos.
Ajo shtoi se është e mundshme një rikonceptim i sistemit dhe se aktualisht po diskutohet drejtimi që duhet marrë, përfshirë mënyrën se si procesi mund të përshpejtohet përmes një integrimi gradual të përmirësuar.
Në të njëjtën kohë, Kos hodhi poshtë propozimin e presidentit serb Aleksandar Vuçiç dhe kryeministrit shqiptar Edi Rama, të cilët në një artikull të përbashkët për “Frankfurter Allgemeine Zeitung” kërkuan përshpejtimin e integrimit të vendeve kandidate në Tregun e Përbashkët dhe zonën Schengen, pa u dhënë atyre të drejtë vetoje.
“Nuk jam e sigurt nëse liderët e kuptojnë sa shumë duhet të përmbushësh për të qenë pjesë e Schengenit apo tregut të përbashkët, dhe se procesi i reformave është i vështirë si për integrimin ekonomik, ashtu edhe për anëtarësimin në BE”, theksoi Kos.
Sipas saj, aspirata e Ukrainës për t’u anëtarësuar në BE deri më 1 janar 2027 është e pamundur, ndërsa Islanda mund të përbëjë një rast të veçantë dhe të ecë shumë më shpejt.
“Islanda është tashmë shumë e integruar përmes Zonës Ekonomike Evropiane. Tregu i përbashkët ekziston. Schengeni ekziston… Pra, temat më të vështira, nëse flasim për reformat e nevojshme apo integrimin në BE, për ta janë tashmë të përmbushura.
Nëse flasim për zhvillimin demokratik dhe vlerat europiane, ato janë në nivele shumë të larta”, u shpreh Kos.
Burimi: Europe Western Balkans/Përshtati Gazeta Si
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje