Politike

Kos pyetet për Ballukun: E rëndësishme të ndiqet vendimi i gjykatës

Nga Gazeta ‘Si’- Komisionerja e BE Marta Kos, në një konferencë për mediat me kryeministrin Edi Rama është pyetur mbi pezullimin nga detyra me vendim të zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Kos tha se nuk mund të komentonte çështje konkrete, por mes të tjerash theksoi se “e rëndësishme që ne të ndjekim vendimet e gjykatës”.

Ajo shtoi se ajo që BE do nga çdo vend kandidat është që të ketë një sistem që me sistemin gjyqësor do të këtë siguri ligjore.

“Nuk mund të komentoj çështje konkrete, ajo që mund të them është që një sistem i pavarur gjyqësor është një nga arritjet me të mëdha të Shqipërisë në vitet e fundit dhe gjithashtu Shqipëria ka pasur një ecuri të rëndësishme në luftën kundër korrupsionit. Këtë ne e kemi patur si pjesë të gjetjeve tona dhe e kemi pjesë të raportit.

Ajo që ka ndodhur gjatë dy viteve të fundit në Shqipëri në fushën e sundimit të ligjit, e mbrojtjes së qytetarëve dhe të sektorit të biznesit do të thosha që është e paprecedentë.

Ajo që në duam nga çdo vend kandidat është që të ketë një sistem që me sistemin gjyqësor do të këtë siguri ligjore që në raste se dikujt i dhunohen të drejtat, atëherë ka gjykata dhe gjykatës që do të kujdesen për këtë çështje”, tha Kos.

Ndërkohë, Rama tha se ky është një rast unikal në historinë e Europës. Sipas tij, nuk ndodh në BE, që njerëzit të pezullohen, duke qenë të zgjedhur.

“Nuk bën vaki në Bashkimin Europian, që kryetarët e bashkive të merren nga zyra dhe të dërgohen në burg, pa gjyq. Të gjithë duhet të bëjmë punën dhe të luajmë rolin tonë. Të mbrojmë pavarësinë e gjyqësorit, edhe kur rëndon mbi ne në formën e padrejtësisë, sipas nesh, siç nuk ndodh askund në Europë. Nuk hyjmë në territorin e pushtetit gjyqësor. Kultura e gjyqeve popullore dhe e organizimeve nëpër sallone mediatike, për të dhënë dënime bazuar mbi sekrete hetimore të nxjerra nga vetë prokurorët, është kulturë që duhet ta luftojmë të gjithë”, tha Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë