Drejtësia

Korrupsioni zgjedhor, GJKKO rrëzon Belerin për shpalljen të pavlefshme të akteve hetimore

Gazeta Si – Gjykata e Posaçme ka rrëzuar kërkesat paraprake të Fredi Belerit dhe Pandeli Kokaveshit për shpalljen e pavlefshme të akteve hetimore, pasi akuzohen për korrupsion zgjedhor.

GJKKO vlerësoi se kjo kërkesë ishte e pabazuar në ligj. Pas vendimit, avokatët e Belerit kërkuan përjashtimin e trupës gjykuese, por kjo kërkesë nuk u pranua nga Gjykata e Posaçme.

Beleri nuk ishte i pranishëm në seancë dhe vitoj të mbetet në burg pas shumë kërkesave të rrëzuara nga gjykatat për zbutje të masës së sigurisë.

Kryebashkiaku i zgjedhur i Bashkisë HImarë, u arrestua dy ditë përpara zgjedhjeve vendore të 14 majit.

Sipas prokurorisë, përgjimet tregojnë se ai ka ofruar para në këmbim të votave në favor të tij. Vetë Beleri ka hedhur poshtë akuzat dhe ka folur për një akt me sfond politik.

E teksa brenda GJKKO-së pritej të niste seanca, jashtë ambienteve, disa qytetarë kanë shpalosur një banderolë, ku Beleri krahasohej me Radoiçiçin, serbin e shpallur në kërkim nga drejtësia e Kosovës dhe i akuzuar si ideatori i sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë. Në banderolën në fjalë shkruhej: “Beleri në Jug, Radoiçiçi në Veri”!.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë