Drejtësia

Korrupsioni në MSH/ Lirohet administratori i kompanisë, burg për inxhinerin

Gazeta Si – GJKKO ka caktuar masën e sigurisë “arrest shtëpie” për Vladimir Topin, administratorin e kompanisë “Dricons”, që dyshohet se i dha ryshfet Sekretares së Përgjithshme të Ministrisë së Shëndetësisë Joana Duro dhe specialistes Laura Shteto.

Sipas gjykatës, për Topin, masa e sigurisë u zbut, pasi ligji nuk lejon masë më të rëndë sigurie për një 73-vjeçar.

Ndërsa për inxhinierin e kompanisë, Silvi Shehu, i cili dyshohet se mori shumën e parave për t’ia dhënë dy zyrtareve të Ministrisë së Shëndetësisë, u vendos “arrest në burg”.

Një ditë më parë, Joana Duro dhe Laureta Shteto u lanë në masën “arrest në burg” nga GJKKO për korrupsion.

Sekretarja e Përgjithshm e MSH, dyshohet se mori ryshfet shumën prej 330 mijë lekë për të favorizuar kompaninë “Dricons” që garonte për një tender.

Sipas SPAK, Joana Duro, shumën e parave e ka marrë si ryshfet nga Vladimir Topi, administratori i kompanisë me qëllim për të përfituar në mënyrë të paligjshme nga tenderi i zhvilluar në Ministrinë e Shëndetësisë e Mbrojtjes Sociale, me objekt “Lot 1 “Supervizim për rikonstruksionin e disa Qendrave Shëndetësore në qarqet Tiranë e Durrës”.

Fituesi i tenderit me fond limit 805 mijë lekë ishte shpallur më datën 1 qershor, ndërsa SPAK ndërhyri më datën 2, teksa u dha ryshfeti. Kompania “DRICONS”, është shpallur fituese me ofertën 672 mijë lekë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë