Gjykata Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, ka dënuar me 2 vite e 6 muaj burg Eduard Strugajn, ish-drejtorin e burgut 313 në Tiranë.
Ndërkohë u shpall fajtor dhe u dënua me 4 vite burg Florin Ahmetaj ish-shefi i Logjistikës, ndërsa Ervin Kurtulla u dënua me 3 vjet burg.
Ata akuzohen për abuzimet me tenderat në burgun 313 për dhënien në përdorim të dyqanit brenda burgut kundrejt një shume monetare duke favorizuar një subjekt.
Për Strugaj dhe Ahmetaj u vendos dhe heqja e drejtës për të ushtruar funksione publike për 5 vjet.
Ata u arrestuan në 3 prill 2020, ndërsa ndalimi i tyre u bë me urdhër të SPAK me argumentin se zyrtarët i kanë kërkuar përfaqësuesit të dyqanit 550 mijë lekë në këmbim të favoreve për t’i dhënë lejen brenda burgut.
Në momentin e arrestimit shefit të logjistikës i ishin sekuestruar 100 mijë lekë, që sipas SPAK-ut janë përfitim i parregullt nga personi që kishte dyqanin brenda burgut.
Zyrtarët e burgut u shpallën fajtorë për favorizimin e subjektit tregtar me përfaqësues Kurtallin për të ushtruar aktivitetin tregtar brenda ambjenteve të burgut 313, në këmbim të ryshfetit.
Strugajt iu besua detyra e drejtorit të burgut 313 në tetor të vitit të 2019 dhe u hetua në masën e sigurisë arrest shtepie.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.