Drejtësia

Korrupsion zgjedhor në 64 raste në zgjedhjet e 2023 për Bashkinë Rrogozhinë, SPAK çon në gjyq kandidatin e PD dhe 4 të tjerë

Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim 5 persona të akuzuar për blerje votash në zgjedhjet lokale të përsëritura të 23 korrikut të vitit 2023 në Rrogozhinë, mes tyre edhe kandidati për kryebashkiak i Partisë Demokratike në këtë qytet, Shkëlqim Hoxha.

Rasti i hetimit të krimit elektoral është konfirmuar sot nga vetë SPAK, ku jepen edhe detaje të hetimit dhe emrat e 5 të pandehurve. Të akuzuarit janë Limon Shala, Fatmir Thaçi, Florant Saraçi, Engjëll Cara dhe Shkëlqim Hoxha.

Katër prej tyre akuzohen se kanë ofruar bileta udhëtimi të parapaguara për persona të ndryshëm në 64 raste, për të votuar Hoxhën si kryebashkiak, nën akuzën për “Korrupsion aktiv në zgjedhje”.

Ndërsa Shkëlqim Hoxha akuzohet për veprën penale “moskallëzim i krimit”.

Hetimet treguan se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë siguruar dhe ofruar bileta udhëtimi të parapaguara për persona të ndryshëm, të dokumentuara në 64 raste, me qëllim që të votonin në favor të kandidatit Shkëlqim Hoxha.

SPAK thotë se “kandidati demokrat, edhe pse ishte në dijeni, nuk e ka kallëzuar rastin, duke shkelur ligjin”.

Hetimet fillestare i nisi Prokuroria e Durrësit dhe Policia, që më pas për mungesë kompetence ia kaluan Prokurorisë së Posaçme, teksa tani të pestë janë marrë të pandehur me akuzat e ngritura nga SPAK dhe dosjen që është referuar për gjykim në GJKO.

Në numërimin e 54 kutive, socialisti Memolla doli fitues me diferencë ndaj Shkëlqim Hoxhës së PD-së, në zgjedhjet e përsëritura.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë