Agjencia evropiane e policisë Europol tha përmes një njoftimi zyrtar se rrëzimi i Encrochat, një kompani e fshehtë që u ofronte kriminelëve komunikime të sigurta të koduara, çoi në më shumë se 6,500 arrestime dhe 900 milionë euro asete të sekuestruara.
Sistemi kishte rreth 60,000 përdorues kur u mbyll papritur në qershor 2020, dhe Europol zbuloi muajin pasardhës se zyrtarët e zbatimit të ligjit kishin përgjuar komunikimet e përdoruesve për muaj të tërë.
Në një deklaratë, Europol ofroi përmbledhjen e tij të parë të rezultateve, të cilat tha se kishin “dërguar valë tronditëse në grupet e krimit të organizuar në Evropë dhe më gjerë”.
Policia ka analizuar më shumë se 115 milionë “biseda kriminale”, tha Europol, duke ndihmuar në parandalimin e “sulmeve të dhunshme, tentativave për vrasje, korrupsionit dhe transportit të drogës në shkallë të gjerë”.
Agjencia tha se hetimet e nisura nga rrëzimi i Encrochat deri më tani kanë çuar në sekuestrimin e 100 tonëve kokainë, 30 milionë pilulave “drogë kimike”, gati një mijë automjeteve, qindra pronave dhe dhjetëra varkave dhe avionëve.
Deklarata e policisë nuk dha detaje nëse vetë pronarët e Encrochat ishin arrestuar. Autoritetet franceze dhe holandeze do të mbajnë një konferencë shtypi në Lille të martën.
Rezultatet e pjesshme të hetimeve të lidhura me Encrochat janë shpallur më parë nga policia franceze, holandeze dhe britanike në vitin 2020 dhe nga policia gjermane në 2021.
Encrochat shiti pajisje celulare të modifikuara Android për rreth 1000 euro secila dhe u ngarkoi përdoruesve tarifa të majme abonimi me premtimin se komunikimi i tyre do të mbetej i koduar dhe sekret.
Ajo u mbyll papritur në qershor 2020 pasi operatorët e saj të paidentifikuar me sa duket e kuptuan se ishin komprometuar.
Europol tha se kompania kishte drejtuar komunikimet e koduara përmes serverëve në Francë.
“Përfundimisht, ishte e mundur të vendosej një pajisje teknike për të shkuar përtej teknikës së kriptimit dhe për të marrë akses në korrespondencën e përdoruesve,” tha Europol në një njoftim
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.