Drejtësia

Korrupsion në zgjedhje / Dënohet me 1 vit burg kryebashkiaku i Rrogozhinës, Edison Memolla

Gazeta Si – Gjykata e Posaçme ka shpallur fajtor kryebashkiakun e Rrogozhinës, Edison Memolla, duke e dënuar me 1 vit burg për akuzën e “korrupsionit në zgjedhje”.

Gjykata dha gjithashtu dënim plotësues për Edison Memollën që për 5 vite të mos ushtrojë funksione publike. Pasi doli nga salla, Memolla deklaroi: “Do të presim të zbardhet vendimi dhe do ta ankimojmë”.

Gjykata dënoi po ashtu edhe bashkëpunëtorët e tij, Nriçim Tafxhafa dhe Blerim Xhamani me 1 vit burg. Ndërsa Isuf Tosku, u dënua me 8 muaj burg dhe pezullohet e vihet në shërbim prove për 1 vit e 4 muaj.

Hetimet për kryebashkiakun nisën pas publikimit në media të një audio-përgjimi, ku dëgjohet Edison Memolla, në atë kohë kandidat për Kryetar Bashkie në Rrogozhinë, teksa ndikon tek një elektriçist, për të mos i ndërprerë energjinë elektrike një abonenti debitor.

Kryebashkiaku u dërgua në gjykim nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar së bashku me tre të pandehur të tjerë, Ndriçim Tafxhafa dhe Blerim Xhamani të akuzuar “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” dhe Isuf Tosku, i akuzuar për falsifikim të dokumentave, kryer në bashkëpunim.

Sipas SPAK-ut Memolla ndikoi tek Blerim Xhamani, elektriçist pranë FSHU Durrës, për të mos i ndërprerë energjinë elektrike një abonenti debitor, me qëllim për të votuar në favor të tij në zgjedhjet lokale, si dhe komunikon me Xhamanin, për punësime në Bashkinë Rrogozhinë, po ashtu në këmbim të votës.

I pandehuri Ndriçim Tafxhafa, i ka premtuar shtetases për shlyerje të detyrimeve ndaj OSHEE dhe për strehim, ndërsa Blerim Xhamani dhe Isuf Tosku kanë falsifikuar të dhënat në procesverbalin e ndërprerjes së energjisë elektrike, duke paraqitur të dhëna të rreme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë