Drejtësia

Korrupsion në AZHBR e Korçës, inspektorët merrnin deri në 50.000 lekë për kontrollet bujqësore

Gazeta Si – Një skemë korrupsioni në lidhje me falsifikimin e kontrolleve bujqësore nga zyrtarë të AZHBR-së, është zbuluar nga autoritetet ligjzbatuese në Korçë, me qëllim kualifikimin e padrejtë të fermerëve për subvencione.

Pas 18 muajsh hetime, policia njofton se janë vënë nën hetim dhe pezulluar një grup zyrtarësh të përfshirë në falsifikime dhe korrupsion, që lidhen me verifikimet në fermat përfituese nga skema kombëtare e mbështetjes për fermerët.

Sipas njoftimit zyrtar, dy inspektorë të AZHBR-së dhe 6 veterinerë të Drejtorisë së Bujqësisë Pogradec, dyshohet se kanë pasqyruar të dhëna të rreme në aktet zyrtare të kontrollit, duke krijuar përfitime të paligjshme dhe duke shkaktuar dëm financiar buxhetit të shtetit.

Zyrtarët, sipas hetimit, nuk kryenin kontrollet në terren për gjendjen faktike të bagëtive dhe merrnin shuma që varionin nga 10.000, deri në 50.000 lekë të reja për të favorizuar përfitues të ndryshëm.

Hetimet tregojnë se grupi dyshohet të ketë krijuar një skemë të mirëorganizuar, ku kontrollet zyrtare në fermat përfituese kryheshin vetëm në letra, duke lejuar abuzime me fondet shtetërore.

Kështu, në kuadër të operacionit policor të koduar “Green Code” ,janë pezulluar nga detyra për korrupsion pasiv dhe falsifikim dokumentesh:

Në njoftimin zyrtar, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Korçë bën me dije se ka caktuar masat e sigurimit personal me karakter shtrëngues “Pezullimi i ushtrimit të një detyre apo funksioni publik” dhe “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” për 9 shtetasit e përfshirë, konkretisht: Andrea Miha, Julian Zgura, Entela Gjata, Ermal Ibri, Dritan Çela, Përparim Rustemi, Bruno Berberi, Endrit Ferati dhe Fatos Ibi.

Ndërsa është shpallur në kërkim: Alfred Bakalli, 48 vjeç, inspektor i AZHBR-së, i dyshuar për korrupsion pasiv dhe falsifikim dokumentesh.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë