Zyrtarët e akuzuar për korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar, që dolën nga operacioni i përbashkët italo-shqiptar, “Shpirti” nuk janë të vetmit. Sipas kreut të SPAK çdo ditë po dalin gjyqtarë dhe prokurorë që përfshihen në veprimtari kriminale.
Ai tha se këto veprimtari nxiten edhe nga pandëshkueshmëria dhe mosfunksionimi i sistemit, ku drejtësia nuk ka dhënë vendimet që duhet të jepte për personat që shkelin ligjin.
“Në këtë sens, është një mekanizëm që duhet të funksionojë si një i tërë. Ndëshkueshmëria e atyre që s’kanë ushtruar detyrën duhet të jetë një vijë ndarëse”, tha kreu i SPAK, Arben Kraja.
Kraja foli në një konferencë të organizuar në Tiranë për sfidat që kanë autoritetet ligjzbatuese në luftën kundër korrupsionit. Në këtë konferencë merrte pjesë edhe kreu i strukturës simotër të SPAK në Rumani, Crin Bologa.
Ky i fundit bëri një bilanc historik të shkurtër të strukturës që drejton, e që shpesh merret si shembull se si të luftohet korrupsioni dhe krimi i organizuar.
“Ne kemi dërguar në gjykatë dy kryeministra, 80 deputetë dhe dhjetra kryetarë të bashkive. Specializimi, profesionalizimi i prokurorëve dhe pavarësia e tyre janë thelbësore në suksesin e luftës kundër korrupsionit”, theksoi ai.
Nga ana e tij, Arben Kraja tha se SPAK është e vendosur për të ecur në gjurmët e sukseseve të strukturës rumune anti-korrupsion. Ai tha se është në dijeni se publiku pret më shumë veprime në lidhje me hetimet që lidhen me shpërdorimin e fondeve publike, ku gjithmonë janë të përfshirë edhe zyrtarë.
“Kjo është një përparësi e jona, e cila po vlerësohet çdo ditë dhe shpejt do të kemi rezultate konkrete që do i bëjmë publike. Ne kemi vullnetin e mirë për të punuar dhe vepruar”, tha Kraja.
Kreu i SPAK kujtoi se pa funksionimin e plotë të Byrosë Kombëtare të Hetimit edhe Prokuroria e Posaçme s’mund të funksionojë me të gjitha kapacitetet e saj, ndërsa shtoi se brenda gushtit grupi i parë i hetuesve të BKH-së do të jenë gati.
Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj tha se lufta kundër korrupsionit është e vazhdueshme dhe propozoi që për ta luftuar këtë fenomen të përfshihet në shkollat 9-vjeçare dhe të mesme një lëndë e posaçme që të trajtojë pasojat negative të fenomenit dhe ndërgjegjësojë për denoncimin e tij.
Një model të ngjashëm arsimor ndjek edhe Italia dhe Gjonaj njoftoi se ka nisur një përpjekje nga Ministria e Arsimit në Shqipëri me Ambasadën Amerikane, ku fillimisht do të vendoset për pilotimin e këtij projekti mbi bazat e modelit italian.
Ambasadori i BE, Luigi Soreca tha se nevojitet bashkëpunim dhe koordinim i vazhdueshëm mes institucioneve që lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar të jetë e suksesshme. Ai theksoi se BE, që prej vitit 2012 ka ofruar mbi 60 mln euro për forcimin e sundimit të ligjit dhe drejtësisë në Shqipëri, do të vijojë të mbështesë këto përpjekje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.