Drejtësia

Korrupsion me pronat, ish-kreu i Hipotekës së Beratit dënohet me 1 vit e 8 muaj burg

Gjykata e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, ka dënuar me 1 vit e 8 muaj burg Ervin Nelajn, ish-kreun e Kadastrës së Beratit, i arrestuar në janar të këtij viti për korrupsion në lidhje me miratimin e lejeve të ndërtimit në këtë qytet.

SPAK kishte kërkuar më herët 3 vite dënim për Nelajn, por trupa gjykyese e GJKKO-së vendosi 1.8 vite burg, pasi ai përfitoi nga gjykimi i shkurtuar.

Pas hetimeve të 9-mujore, SPAK ka dalë në përfundim se janë krijuar dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se Nelaj, në cilësinë e kreut të Drejtorisë Vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Berat, në bashkëpunim me punonjës të tjerë në këtë institucion, kanë marrë në disa raste përfitime monetare të parregullta, me qëllim për të kryer veprime që lidhen me detyrën e tyre, për legalizimin e objekteve informale dhe regjistrimin e titujve të pronësisë.

Ish-kreu i Kadastrës Berat kishte vetëm 7 muaj në atë detyrë dhe dyshohet se kishte përvetësuar shuma parash nga persona të ndryshëm me qëllim pajisjen e tyre me dokumentet e lejes së legalizimit. Nelaj prej 8 vitesh ishte specialist dhe inspektor i ‘Aluiznit’-it.

Nga një përgjim i zbardhur, rezulton një bisedë që tregon se si Ervin Nelaj së bashku me një punonjëse merrte dosjet përkatëse dhe në këmbim të parave jepte lejet për personat që i jepnin këto para. Ai i kërkon disa dosje punonjëses, ndërkohë ajo i thotë se nuk mundet më të vijojë. Nga ana tjetër, Nelaj i kërkon punonjëses që mos i mbajë lekët vetë sepse i prish, por t’i mbajë në sirtar.

Në fakt, ish-drejtori i Kadastrës i ka mohuar akuzat dhe nuk ka pranuar që të ketë konsumuar veprën penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë detyra publike”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë