Gazeta Si - Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar në gjyq dosjen në ngarkim të ish-avokatit të shtetit Irgen Kërçuku, ashtu sikurse edhe për Aleksandër Lahon, i njohur ndryshe si “Rumi i Shijakut”, pasi të dy akuzohen për korrupsion.
Në një njoftim për mediat, SPAK thotë se në kohën kur Kërçuku mbante detyrën e avokatit të shtetit, ka marrë 900 mijë lekë ryshfet nga Laho që ky i fundit të mos merrte pjesë në një proces gjyqësor.
Ish-avokati i vënë nën hetim ka pranuar para SPAK se ka marrë 9 milionë lekë ryshfet me 2 këste, por pretendoi se kishte qenë i kërcënuar për t’i marrë ato.
Sipas SPAK gjatë hetimeve të këtij procedimi penal është bërë e mundur evidentimi i një skeme të mirëfilltë kriminale në falsifikimin dhe regjistrimin e pronave në vijën bregdetare të quajtur “Gjiri i Lalzit”, Durrës për një sipërfaqe prej 45 mijë metra katror tokë.
Rrumi është eksponent i njohur i krimit. Ai rezulton i shpallur në kërkim nga Policia e Durrësit si i dyshuar në pengmarrjen e 2 vëllezërve Beqiraj të cilët dyshohet se janë përfshirë në një sërë ngjarjesh kriminale, përfshi edhe mbajtjen nën vëzhgim të Rrumit.
Aleksandër Laho është i njëjti person që udhëtonte me prokurorin Arjan Ndoj më 1 nëntori 2019, kur iu bë atentat në aksin Durrës-Tiranë, ngjarje për të cilën GJKKO vendosi dënimin me burgim të përjetshëm për shtetasin Redjan Rraja, nip i ish-dpeutetit socialist Rrahman Rraja, ndërsa me 35 vite burg u dënua Arjol Halilaj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.