Gazeta Si – Shtatë persona, mes tyre policë e doganierë, janë arrestuar në pikën kufitare të Qafë Thanës në Pogradec me akuzën për shpërdorim detyre dhe korrupsion.
Bëhet fjalë për dy inspektorë, Arjan Hajrulla 43 vjeç dhe Fisnik Mahmutllari, 38 vjeç, si dhe doganierët Vladimir Bardhi, 53 vjeç dhe Julian Poce, 45 vjeç.
Përmes tyre, tre tregtarë nga Librazhdi, kishin gjetur një mënyrë të përfitimi në këtë kohë krize.
Ata furnizoheshin në Maqedoninë e Veriut me mallra ushqimore, pije dhe mallra të tjera, duke shfrytëzuar çmimet me të ulëta në vendin fqinj.
Për të maksimalizuar përfitimet, mallin e fusnin kontrabandë nga Pika kufitare e Qafë Thanës, duke shmangur detyrimet doganore.
Bule Hila, Florenc Gega dhe Julian Hila u kapën në kushtet e flagrancës me makina të ngarkuara me mall që sapo kishte kaluar kufirin.
Për këtë veprimtari kishin gjetur bashkëpunim me dy doganierë dhe dy efektivë policie pranë Pikës Kufitare të Qafë Thanës të cilëve u jepnin ryshfet.
Hetimet provuan se të përfshirë ishin policët Arjan Hajrulla e Fisnik Mahmutllari, sikurse doganierët Julian Poçe dhe Vladimir Bardhi.
Sipas pamjeve filmike, punonjësit e policisë kufitare, në bashkëpunim me punonjësit e Doganës, në këmbim të parave, kanë favorizuar shtetasit e mësipërm në kalimin e mallrave kontrabandë pa kryer procedurën e zhdoganimit.
Policia ka sekuestruar 3 automjete, 9 aparate celularë, sasi vlerash monetare të përfituara në mënyrë të kundraligjshme nga aktiviteti i kontrabandës në ambjentet e punës, sasi e konsiderueshme e mallrave ushqimorë dhe pijeve të ndryshme, si dhe mallra të tjera.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




