Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) merr të pandehur ish-drejtorin e burgut “313 Jordan Misja”, Eduard Strugaj, dhe përgjegjësin e sektorit të logjistikës në këtë burg, Florin Ahmetaj, pasi akuzohen për korrupsion pasiv.
Nga hetimet paraprake të SPAK ka rezultuar se ish-drejtori Strugaj dhe përgjegjësi Ahmetaj janë përfshirë në skena korruptive me vlera miliona lekë.
“I pandehuri Eduard Strugaj, në cilësinë e Drejtorit të Institucionit të Vuajtjes së Dënimit “Jordan Misja”, në bashkëpunim me shtetasin Florin Ahmetaj, me detyre shef i llogjistikës në këtë IEVP, kanë kërkuar dhe marrë nga shtetasi I. Paço, si përfitim të parregullt një shumë prej 457.000 (katërqindë e pesëdhjet e shtatë) mijë lekë të reja me qëllim që ky i fundit të ushtronte aktivitetin tregtar të tregtimit të kafesë nëpërmjet makinetave të vendosura në IEVP – në. Po kështu, në datën 02.04.2020 dhe 03.04.2020, të hetuarit Florin Ahmetaj dhe Eduard Strugaj kanë kërkuar dhe marrë nga shtetasi I. Paço shumën prej 100 000 (njëqind mijë) lekë, shumë të cilën Ilirjani ja ka dhënë të pandehurit Ervin Kurtulla dhe ky i fundit ja ka dhënë Florinit i cili do të ja jepte drejtorit të burgut, të pandehurit Eduard Strugaj”, thuhet në njoftimin e SPAK.
Ndër të tjera, në njoftimin e SPAK për mediat, thuhet se “i pandehuri Eduard Strugaj, në bashkëpunim me shtetasin Florin Ahmetaj kanë kërkuar dhe marrë nga shtetasi Ervin Kurtulla, si përfitim të parregullt një shumë parash me qëllim që ky i fundit të siguronte një kontratë qiraje lidhur me objektin Njësi Tregëtare. Eduard Strugaj, në cilësinë e Drejtorit të IEVP – së “Jordan Misja” dhe Florin Ahmetaj kanë marrë nga shtetasi Ervin Kurtulla një shumë parash si përfitim të parregullt në këmbim të dhënies me qira të ambienteve të Njësisë Tregëtare të këtij Institucioni. Gjithashtu të hetuarit Florin Ahmetaj dhe Eduard Strugaj kanë pranuar ofertën e të hetuarit Ervin Kurtulla që ky i fundit do të ju jepte përfitim të parregullt në këmbim të lidhjes dhe zbatimit të kontratës së qirasë (premtimi për të dhënë një shumë çdo muaj në funksion të aktivitetit që Ervin Kurtulla do të vazhdonte në IEVP – në “Jordan Misja”)”.
Hetimi i këtij procedimi penal u bë i mundur falë bashkëpunimit shumë efektiv me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




