Analize

Koronavirusi mund të riinfektojë. Të shëruarit 2 javë në karantinë

Ndërkohë që në Kinë, numri i të infektuarve me koronavirus ka ardhur në rënie, mjeket kanë zbuluar se disa prej pacientëve të rikuperuar u është “rikthyer” sërish virusi vdekjeprurës.

Këtë fundjavë, qeveria kineze ka vendosur që të gjithë pacientët që ishin shëruar duhet të dërgoheshin për dy javë në një karantinë të dytë, ku do të mbahen nën vëzhgim mjekësor. Rivendosja në karantinë edhe pas shërimit erdhi pasi mjekët kinezë, të cilët gjenden prej javësh në vijën e parë të betejës, paralajmëruan se pacientët e rikuperuar mund të mbajnë ende virusin dhe të infektojë të tjerë.

Gjithçka nisi në fillim të shkurtit, kur një pacient me koronavirus ka rezultuar pozitiv 10 ditë pasi është lejuar të largohet nga spitali dhe të shkojë në shtëpi, duke ngjallur frikën se të gjitha ata që rikuperohen mund ta mbajnë ende virusin vdekjeprurës.

Mediat shtetërore kineze shkruajnë se personi në fjalë u lejua të dilte nga spitali në Wuhan në fillim të këtij muaji pas tre javësh mjekim, gjatë të cilave u rikuperua. Por pas daljes, pacienti shfaqi sërish simptoma të virusit vdekjeprurës dhe u fut menjëherë në karantinë.

Çështja e tij ka alarmuar jo vetëm Kinën, por edhe të gjitha vendet ku ka mbërritur koronavirusi, mes frikës së të infektuarit nuk shërohen dot plotësisht. Rasti i tij do të ishte i pari, por jo i fundit. Të shtunën, autoritetet në Wuhan futën karantinë për 14 ditë të tjera dhjetëra pacientët të rikuperuar, pasi disa prej tyre rezultuan përsëri pozitiv me koronvirus.

Wuhani dhe pjesa tjetër e provincës Hubei, e cila është qendra e shpërthimit të virusit, kanë vazhduar të përbëjnë pjesën më të madhe të rasteve të konfirmuara të koronavirusit në Kinë, ku rreth 77,000 janë infektuar dhe më shumë se 2,400 kanë vdekur.

Personeli mjekësor monitoron një pacient me koronavirus në një spital në Wuhan në provincën qendrore të Kinës, Gaazeta Si, 2020

Zhao Jianping, një mjek që drejton një ekip që punon në Hubei, tha se në spitalin ku ai punon ka pasur raste në të cilat pacientët rezultuan pozitiv pasi ata ishin shëruar.

"Kjo është e rrezikshme" tha Zhao në një intervistë më gazetën “Southern People”. "Ku do t’i vendosim këta pacientë? Nuk mund t'i dërgojmë në shtëpi, sepse ata mund të infektojnë të tjerët, por nuk mund t'i vendosim në spital sepse aty duhet të mbajmë pacientët që janë ende në rikuperim e sipër".

Eksperti kinez tha se disa pacientë të shëruar nga koronavirusi ende mund të mbartin virusin dhe të infektojë të tjerët.

"Kjo do të thotë gjatë periudhës kur një pacient, i cili konsiderohet i rikuperuar, largohet nga spitali dhe kthehet në shtëpi, mund të infektojë njerëzit me të cilët është në kontakt", tha Zhao. "Meqenëse ekziston kjo lloj situate, ne i këshilluam qeverisë që pacientët e rikuperuar gjithashtu të vendosen në karantinë për 14 ditë" tha ai.

Spital në provinën Hubei, Gazeta Si, 2020

Xiang Nijuan, një studiues i Qendrës Kineze për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve ka deklaruar po ashtu se monitorimi i atyre që kanë pasur kontakt të ngushtë me pacientët duhet të zgjerohet në një grup më të gjerë njerëzish, sepse disa pacientë kishin arritur të infektonin të tjerër edhe dy ditë përpara se të shëroheshin plotësisht.

Në qytetin kinez të Chengdut, një pacient i nxjerre nga spitali më 10 shkurt, pas një rikuperimi të plotë, u ripranua në spital pesë ditë më vonë pasi rezultoi sërish me koronavirus.

Në një rast tjetër në Changde, një qytet në provincën Hunan në Kinën qendrore, një grua shfaqi sërish simptoma të koronavirusit më 9 shkurt, tetë ditë pasi doli nga karantina dhe kishte rezultuar negative në dy testet e mëparshme laboratorike. Ndërkohë, në qytetin jugor të Guangzhou, koronavirusi u gjet në mostrat e jashtëqitjes të një numri të vogël pacientësh të rikuperuar.

"Mund të ndodhë që të ketë ende viruse ose fragmente gjenesh virale në pacientët e shkarkuar," thotë Cai Weiping, drejtues i departamentit të sëmundjeve infektive në Spitalin Guangzhou,. “Ende nuk është e sigurt nëse pacientët e rikuperuar janë infektiv. Ky është një patogjen i ri dhe ne ende nuk kemi mjetet për parashikimin e plotë të situatës".

Spital në provinën Hubei, Gazeta Si, 2020

“Por shembuj që kemi parë nuk mund të klasifikohen si rikthim i virusit- shtoi Cai- Pasi skanimet treguan se inflamacioni i mushkërive tek pacientëve e rikuperuar kishte ardhur duke u zvogëluar”.

Pacientët cilësohen se janë rikuperuar nga koronavirusi nëse plotësojnë katër kritere: temperatura e trupit kthehet në normalitet për më shumë se tre ditë; simptomat e frymëmarrjes përmirësohen ndjeshëm; skaneri i kraharorit tregon përmirësim të ndjeshëm në mushkëri; dhe rezultojnë negativ në dy teste të acidit nukleik.

Por pas rasteve të rikthimit të virusit vdekjeprurës, të gjithë pacientët e rikuperuar po mbahen 14 ditë izolim dhe nën monitorim të plotë për gjendjen e tyre shëndetësore.

Deri më tani ka pasur 27.323 pacientë të rikuperuar nga koronavirusi që janë larguar nga spitali pas shërimit. Të hënën, 2,589 pacientë u liruan nga spitali në Wuhan, për t’u vendosur sipas raporteve në një karantinë të dytë, për t’u mbajtur nën vëzhgim nga mjekët.

Burimet: "Xinhuanet", "China Mornging Post", "New Zeland Herald"


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë