Nga Gita Gopinath* – Kjo krizë shëndetësore do të sjell një rënie thelbësore ekonomike, duke u reflektuar tek furnizimi dhe kërkesa, ndryshe nga krizat e tjera.
FMN sugjeron politika substanciale të targetuara për të mbështetur ekonominë që po preket nga epidemia, duke mbajtur të paprekur rrjetin e marrëdhënieve ekonomike dhe financiare ndërmjet punëtorëve dhe bizneseve, huazuesëve dhe huamarrësve, furnitorëve dhe përdoruesve të fundit të zinxhirit për aktivitetin për tu rikuperuar pasi shpërthimi të zbehet.
FMN është e gatshme të ofrohet me 50 mld dollar në formën e huasë me interesa të ulta.
Qëllimi është parandalimi i një krize të përkohshme që të mos dëmtojë përgjithmonë njerëzit dhe firmat përmes humbjeve të punës dhe falimentimeve.
Kostot njerëzore të shpërthimit të koronavirusit janë rritur me një shkallë alarmante dhe sëmundja po përhapet në më shumë vende.
Prioriteti i parë është qartë të mbahen njerëzit sa më të shëndetshëm dhe të sigurt. Vendet mund të ndihmojnë duke shpenzuar më shumë për të forcuar sistemin e tyre shëndetësor, përfshirë pajisjet e mbrojtjes personale, testet diagnostikuese dhe shtretërit shtesë të spitalit.
Pa një vaksinë për të ndaluar virusin, vendet kanë marrë masa për të kufizuar përhapjen e tij, si kufizimet e udhëtimit, mbylljet e përkohshme të shkollave dhe karantinat. Masa të tilla gjithashtu fitojnë kohë të vlefshme për të shmangur mbingarkimin e sistemeve shëndetësore.
Ngadalësimi ekonomik
Impakti ekonomik është tashmë i dukshëm në vendet më të prekura nga Koronavirusi. Për shembull në Kinë, prodhimi dhe sektori i shërbimeve kanë rënë në mënyrë dramatike në muajin shkurt.
Teksa rënia e sektorit të prodhimit është e krahasueshme me nisjen e krizës globale financiare, rënia në shërbime shfaqet më e madhe këtë herë—duke reflektuar impaktin e madh të disatncës sociale.
Furnizimi dhe kërkesa globale për rezervat e transportit me shumicë siç janë materialet e ndërtimit dhe mallrat e tjera, gjithashtu kanë rënë dukshëm duke u krahasuar me fazën më të mprehtë të krizës globale financiare, duke reflektuar aktivitetin e kufizuar ekonomik të shoqëruar me përpjekjen e paprecedent të kontrollit. Kjo rënie nuk u pa ndonjëherë në epidemitë e fundit ose pas sulmeve të 11 shtatorit.
Rënia e furnizimit dhe kërkesës
Epidemia e koronavirusit përfshin tronditje të furnizimit dhe kërkesës. Ndërprerjet e biznesit kanë ulur prodhimin, duke krijuar rrjedhimisht tronditje në zinxhirin e furnizimit. Po ashtu ka reflektuar ngurrim tek konsumatorëve dhe bizneset për të shpenzuar duke ulur kërkesën.
Në anën e furnizimit, ka një ulje të drejtpërdrejtë të furnizimit të punës nga punëtorë të frikësuar, nga kujdestarë që duhet të kujdesen për fëmijët për shkak të mbylljes së shkollës, dhe për fat të keq, nga vdekshmëria e shtuar. Por një efekt edhe më i madh në aktivitetin ekonomik ndodh për shkak të përpjekjeve për të parandaluar përhapjen e sëmundjes përmes bllokimeve dhe karantinave, të cilat çojnë në një rënie të përdorimit të kapaciteteve. Për më tepër, firmat që mbështeten në zinxhirët e furnizimit mund të mos jenë në gjendje të marrin furnizimet e nevojshme, qoftë brenda ose jashtë vendit. Për shembull, Kina është një furnizues i rëndësishëm i mallrave të ndërmjetëm në pjesën tjetër të botës, veçanërisht në elektronikë, automobila, makineri dhe pajisje. Këto ndërprerje kontribuojnë në një rritje të kostove të biznesit dhe përbëjnë një tronditje negative të produktivitetit, duke zvogëluar aktivitetin ekonomik.
Në anën e kërkesës, humbja e të ardhurave, frika nga infektimi dhe rritja e pasigurisë do t’i bëjnë njerëzit të shpenzojnë më pak. Punëtorët mund të pushohen nga puna, pasi firmat nuk janë në gjendje të paguajnë në një situatë të tillë bllokimi. Këto efekte mund të jenë veçanërisht të rënda për disa sektorë siç janë turizmi dhe akomodimi – siç shihet për shembull në Itali. Që nga fillimi i shitjes së fundit të tregut të kapitalit amerikan në 20 shkurt 2020, çmimet e aksioneve të linjave ajrore janë goditur në mënyrë disproporcionale, krahasimisht me sulmet terroriste pas 9/11, por më të ulëta se pas krizës financiare globale. Përveç këtyre efekteve sektoriale, përkeqësimi i besimit të konsumatorit dhe biznesit mund të bëjë që firmat të presin kërkesë më të ulët dhe të zvogëlojnë shpenzimet dhe investimet e tyre. Nga ana tjetër, kjo do të përkeqësonte mbarëvajtjen e biznesit deri në mbyllje dhe do të shpinte deri në humbjet e vendeve të punës.
Efektet financiare
Siç shihet ditët e fundit, kostot e huamarrjes mund të rriten dhe kushtet financiare të forcohen, pasi bankat dyshojnë se konsumatorët dhe firmat mund të mos jenë në gjendje të paguajnë kreditë e tyre me kohë. Kostot më të larta të huamarrjes do të ekspozojnë dobësi financiare që janë grumbulluar gjatë viteve të normave të ulëta të interesit, duke çuar në një rrezik të rritur. Një ulje e kredisë mund të forcojë rënien që vjen nga tronditjet e ofertës dhe kërkesës.
Politikat ekonomike janë të nevojshme
Duke marrë parasysh që pasojat ekonomike reflektojnë ndikim kryesisht në sektorë të veçantë, politikëbërësit do të duhet të zbatojnë masa të konsiderueshme fiskale, monetare dhe financiare të tregut për të ndihmuar familjet dhe bizneset e prekura.
Familjet dhe bizneset e goditura nga ndërprerjet e furnizimit dhe nga rënia e kërkesës duhet të targetohen për tiu dhënë para, subvencione pagash dhe lehtësim tatimor, duke i ndihmuar njerëzit të plotësojnë nevojat e tyre dhe bizneset për të qëndruar në treg. Për shembull, midis masave të tjera, Italia ka zgjatur afatet e pagesës së taksave për kompanitë në zonat e prekura dhe ka zgjeruar fondin e pagave për të siguruar mbështetje të ardhurash për punëtorët e pushuar nnga puna dhe masa të tjera për fëmijët që do të qëndrojnë pa shkollë.
Koreja ka vendosur subvencione pagash për tregtarët e vegjël dhe shtimin e listave për pagesa për shtëpiakët dhe punëkërkuesit, dhe Kina ka hequr dorë përkohësisht nga kontributet e sigurimeve shoqërore për bizneset. Për ata që janë larguar nga puna, sigurimi i papunësisë mund të përmirësohet përkohësisht, duke zgjatur kohëzgjatjen e tij, duke rritur përfitimet.
Qeveritë duhet të marrin në konsideratë financimin e punonjësve që qëndrojnë në shtëpi duke u kujdesur për të sëmurët ose fëmijët pa patur frikë se mos humbasin punën e tyre gjatë epidemisë.
Bankat qendrore duhet të jenë të gatshme të sigurojnë likuiditet të mjaftueshëm për bankat dhe kompanitë e financave jobanka, veçanërisht për ato që japin hua për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, të cilat mund të jenë më pak të përgatitur për t’i bërë ballë një krize të mprehtë.
Qeveritë mund të ofrojnë ndihmë firmave. Për shembull, Koreja ka zgjeruar huadhënien për operacionet e biznesit dhe garancitë e huasë për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme të prekura nga epidemia. Rregullatorët dhe mbikëqyrësit e tregut financiar gjithashtu mund të inkurajojnë, mbi baza të përkohshme, zgjatjet e maturimeve të kredisë.
Stimujt më të mëdhenj monetar siç janë ulja e normës bazë të interesit ose blerja e pasurive mund të rrisin besimin dhe të mbështesin tregjet financiare nëse ekziston një rrezik i shtuar i një shtrëngimi të konsiderueshëm të kushteve financiare. Stimulimi fiskal me bazë të gjerë në përputhje me hapësirën fiskale në dispozicion mund të ndihmojë në kërkesën e përgjithshme, por ka shumë të ngjarë të jetë më efektive kur operacionet e biznesit fillojnë të normalizohen.
Duke marrë parasysh shtrirjen e gjerë të epidemisë në shumë vende, lidhjet e gjera ekonomike ndërkufitare, si dhe efektet e mëdha të besimit që ndikojnë në aktivitetin ekonomik dhe tregjet financiare dhe të mallrave gjithashtu, argumenti për një reagim të koordinuar, ndërkombëtar është i qartë. Komuniteti ndërkombëtar duhet të ndihmojë vendet me aftësi të kufizuar shëndetësore të shmangin një katastrofë humanitare. FMN është e gatshme të mbështesë vendet e prekura me lehtësira të ndryshme të huazimit, përfshirë këtu përmes financimit dhe disbursimit të shpejtë, i cili mund të arrijë deri në 50 miliardë dollarë për vendet me të ardhura të ulëta dhe vendet në zhvillim. *Autorja është ekonomiste pranë FMN
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




