Sabina Veizaj – Në konferencat periodike post tërmet të fundnëntorit 2019, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko do të thoshte se në afatshkurtër nuk lindtte nevoja e një stimuli monetar si ulja e normës bazë të interesit për t’i dhënë shtysë ekonomisë.
Nevoja do të lindtte nëse rindërtimi do të shtyhej në kohë sepse sipas tij ekonomia do të rrezikonte një ngadalësim të mundshëm.
Aktualisht norma bazë e interesit është 1%.
Me shpërthimin dhe përhapjen e epidemisë së koronavirusit si pasojë e të cilit jeta anembanë globit gati është paralizuar, sipas shumë ekspertëve ndërkombëtarë dhe vendas, ekonomia globale rrezikon recesion, të ngjashëm me krizën financiare botërore të vitit 2008.
Shumë qeveri kanë ndërmarrë paketa financiare shpëtimi për bizneset dhe familjet gjithashtu, qeveri të tjera po punojnë për të njëjtën gjë.
Banka Federale Amerikane pak ditë më parë uli normën bazë të interesit, por tregjet reaguan negativisht; bursat ranë duke reflektuar kundërshtinë e investitorëve se një masë e tillë mund të përshpejtojë recesionin.
Sic duket tani e ardhmja nuk është me e largët dhe se recesioni është shfaqur në horizont, e për Bankën Qëndrore të Shqipërisë po bëhet i afërt vendimi për një ulje të mundshme të normës bazë të interesit.
Dje në një intervistë televizive , Guvernatori Sejko tregoi se tema kryesore e mbledhjes së afërt të Këshillit Mbikëqyrës do të jetë nëse ka ardhur koha për një rishkim të normës bazë të interesit. Zoti Sejko nuk tha se çfarë pritet të ndodhë, por ai si rrallë herë e deklaroi votën e tij si anëtar për një ulje të normës.
Por a do të ndihmonte ekonominë një normë interesi e ulur afër zeros?
Shqipëria ka një ekonomi me inflacion të ulët që nuk është ndihmuar shumë nga ulja e herëpashershme e normës së interesit. Politika monetare përmes këtij instrumenti nuk ka qenë përcjellëse e mirë në tregje. Edhe arsye të tjera që lidhen me klimën e biznesit , apo krizat politike e kanë bërë atë më izoluese.
Nga ana tjetër një zgjatje e mundshme e krizës shëndetësore për shkak të pandemisë së COVID-19 ku që tani shumë biznese janë mbyllur dhe shumë familje janë izoluar do të parashtronte pyetjen; A do të rrezikonte kush të rriste shpenzimet për kosum dhe investime në një situatë besimi të rënë dhe me shumë të panjohura?
Nga ana tjetër një ulje e normës bazë të interesit mund të sillte një perceptim gabim rreziku çka do të shtynte agjentët ekonomikë të mbesnin edhe më shumë në pritje. Kjo i ndodhi edhe bursës amerikane kur FED vendosi për uljen..
Megjithatë ka një një shpresë se pas një ndrydhje të detyruar të konsumit dhe investimeve për shkak të pandemisë, fitorja mbi virusin mund të shpërthejë entuziamin e tregjeve dhe të biznesit e qytetarëve të izoluar, madje edhe mbi nivelin e para krizës shëndetësore. Nëse kjo ndodh edhe ulja e normës së interesit mund të ketë një fat më të mirë, jo vetëm për vetë ne por edhe aty ku ajo mund të ndikojë. Por edhe pse ka dyshimet e veta ulja e normës është më mirë të ndodhë sesa jo në këtë situatë. Sukesi do të varet se sa shpejt do të fitojmë mbi COVID-19 dhe cilat do të jenë kostot.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




