Duke parë emergjencën koronavirus, që ka përmbysur të gjithë sezonin futbollistik, FIFA po mendon për një dritare të tretë në merkato. Federata ndërkombëtare mund të jetë më fleksibël në lidhje me datat e merkatos së ardhshme, siç ka shpjeguar James Kitching, drejtori i rregullores pranë FIFA, për televizionin gjerman ARD ‘Sportschau’. “Po mendojmë të hapim një dritare të tretë në merkato” shpjegoi Kitching, sipas të cilit do të kërkohet fleksibiliteti maksimal për ta përshtatur me kalendaret europiane. Kalendarët mund të riorganizohen nëse ndërprerja aktuale do të zgjasë më shumë se është parashikuar. Për momentin ekzistojnë dy dritare merkato, një në verë e tjetra në dimër.
Në një mesazh për ANSA, presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino foli për futbollin që do të vijë pas koronavirusit: ‘’Do të rikthehet edhe koha e futbollit dhe kur të rikthehet do të festojmë së bashku daljen nga ky makth së bashku. Futbolli që do të vijë pas virusit do të jetë krejtësisht i ndryshëm, gjithëpërfshirës , më shumë social dhe mbështetës, njëkohësisht më global, më pak burokratik dhe më mikpritës. Do të ketë një gjë të barabartë: festimin e golit dhe përqafimin për të shprehur këtë emocion. Do të jemi më të mirë, më njerëzorë dhe më të vëmendshëm ndaj vlerave të vërteta’’.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




