Ka ndodhur

Korçë / Zbulimi i magazinës ku thahej droga dhe përgatitej për t’u shitur, 4 të arrestuar

Nga Gazeta Si- Policia ka vendosur në pranga 4 persona pas zbulimit të magazinës në fshatin Voskop ku thahej droga dhe përgatitej për t’u shitur.

Në prangat e uniformave blu kanë rënë pronari i magazinës A. D., bashkëpunëtori i tij, G. G. dhe dy të tjerët A. B. e R. H.

Ndërkohë janë marrë nën hetim 3 shtetase për moskallëzim të krimit. Të arrestuarit dhe 3 punonjëset e marra nën hetim raportohet se janë kapur në flagrancë brenda ambienteve të magazinës.

Në vijim të hetimeve u identifikua si i përfshirë në këtë veprimtari kriminale dhe u shpall në kërkim shtetasi S. D., 38 vjeç, banues në fshatin Voskop.

Ndërsa mësohet se u sekuestruan 195 kg lëndë narkotike cannabis sativa (bimë në proces tharjeje), që u gjetën në ambientet e magazinës dhe pajisje që shërbenin për tharjen dhe përgatitjen e lëndës narkotike për shitje.

Janë sekuestruar edhe 1 armë zjarri pistoletë, një sasi kokaine, 1 leje drejtimi false, 7 celularë, 1 automjet, 1 pasaportë, 3 karta SIM dhe një shumë eurosh.  

Seksioni për Hetimin e Narkotikëve i DVP Korçë, gjatë kontrolleve në territor dhe në ambiente të mbyllura, për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, kanë siguruar informacion për përshtatjen e një ambienti për tharjen e bimëve narkotike dhe përgatitjen e lëndës narkotike për shitje. Shërbimet e Policisë, në kuadër të operacionit policor të koduar "Voskopi", kanë ndërhyrë menjëherë në ambientet e magazinës në pronësi të shtetasit A. D., në fshatin Voskop, ku kapën në flagrancë dhe arrestuan shtetasit:  

A. D., 43 vjeç, banues në fshatin Voskop, për veprat penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim dhe "Vjedhja e energjisë elektrike dhe impulseve telefonike";  

G. G., 43 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, "Prodhimi dhe mbajtje pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit" dhe "Falsifikimi i dokumenteve";

A. B., 43 vjeç, banues në fshatin Bulgarec dhe R. H., 35 vjeç, banues në Cërrik, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.  

Gjithashtu, në ambientet e magazinës, u kapën në flagrancë 3 shtetase për të cilat nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.  

Në vijim të hetimeve u identifikua si i përfshirë në këtë veprimtari kriminale dhe u shpall në kërkim shtetasi S. D., 38 vjeç, banues në fshatin Voskop. Gjatë kontrollit në banesën e tij u gjetën të kultivuara 2 bimë narkotike, si dhe sasi të vogla të lëndëve narkotike kokainë dhe kanabis. 

Vijon puna për kapjen e këtij shtetasi dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale. 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë