Ka ndodhur

Korçë / Shfrytëzonin 16-vjeçaren për prostitucion dhe abuzonin seksualisht me të, arrestohen dy persona

Nga Gazeta Si- Një rast i rëndë është raportuar në Maliq, ku një 16-vjeçare është abuzuar seksualisht nga dy persona, tashmë të arrestuar.

Policia e Maliqit ka arrestuar 41-vjeçarin S. H. dhe 26-vjeçarin  M. B., të cilët dyshohet se prej disa muajsh abuzonin seksualisht me një të mitur.

Ka qenë vajza që ka pranuar pranë uniformave blu këtë ngjarje, pas denoncimit që bëri nëna e saj në komisariat.

Dy të arrestuarit ndodhen në drejtorinë vendore të policisë së Korçës, ndërsa vijojnë hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes dhe nëse ka persona të tjerë të përfshirë.

“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, si rezultat i veprimeve hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për një rast të shfrytëzimit të një shtetaseje të mitur, për prostitucion, arrestuan shtetasit:

-S. H., 41 vjeç, banues në fshatin Leminot, Maliq, për veprën penale “Marrëdhënia seksuale ose homoseksuale me dhunë me të mitur të moshës 14-18 vjeç”. Gjatë veprimeve të kryera në prezencë të psikologut, prindit dhe mbrojtësit ligjor, 16-vjeçarja ka kallëzuar se në muajin qershor të vitit 2024, ky shtetas ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me të dhe i ka dhënë para;

-M. B., 26 vjeç, banues në fshatin Podgorie, Maliq, për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”, pasi nga veprimet hetimore të kryera për këtë rast, dyshohet se e shfrytëzonte 16-vjeçaren, për prostitucion.

Në drejtimin e Prokurorisë vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të këtij rasti dhe për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e policisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë