Ka ndodhur

Korçë / Ishin në proces divorci, burri lyen me benzinë gruan e i vë flakën pranë banesës. E reja niset drejt QSUT. Flet fqinji që i dha ndihmën e parë: I gjithë trupi thuajse i djegur

Gazeta Si - Një grua 31-vjeçare është djegur me benzinë nga bashkëshorti i saj, me të cilin ishin në proces divorci.

Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:30, në lagjen nr. 2, të qytetit. Në momentin kur është lagur me benzinë nga i shoqi, 31-vjeçarja Melisa Trëndafili ndodhej në rrugë.

Mësohet se bashkëshorti, Bledar Trëndafili 45 vjeç, ka shkuar pranë banesës me qira të ish-gruas ku e ka pritur teksa ajo po kthehej nga puna.

Sapo e ka parë duke u afruar, 45-vjeçari e ka lyer me benzinë dhe i ka vendosur flakën. Bëhet e ditur se çifti ishte në prag divorci dhe janë prindër të dy fëmijëve 3 dhe 5 vjeç.

Melisa Trëndafili ka mbetur e plagosur dhe fillimisht mori mjekim në spitalin e qytetit, e më pas u nis drejt QSUNT. Ndërkohë, autori është shpallur në kërkim nga policia pasi është arratisur pas ngjarjes.

Burime nga spitali rajonal i Korçës bëjnë me dije se 31-vjeçarja është nisur drejt Spitalit Universitar "Nënë Tereza" me plagë të shumta në trup e djegie të shkallës së lartë për të marrë mjekim më të specializuar.

Policia ka ngritur pika kontrolli për autorin e dyshuar. Ndërkohë, një fqinj që i ka dhënë ndihmën e parë, deklaroi jashtë kamerave:

"Kam parë një burrë i cili në mes të rrugës fare pranë shtëpisë sime ka spërkatur me benzinë një grua e me pas i ka vënë flakën. Gruaja e tmerruar ka trokitur në portën e shtëpisë time dhe së bashku me bashkëshorten e kemi ndihmuar fikjen e flakëve të zjarrit. I kemi hequr të gjitha rrobat nga trupi dhe e kemi veshur, por plagët me përjashtim të fytyrës dhe këmbëve, ishin të mëdha dhe pothuajse gjithë trupi ishte me plagë të shumta. Kemi lajmëruar policinë dhe ambulancen të cilët erdhën shpejt në vendin e ngjarjes".

Sipas burimeve, Bledar Trëndafili edhe herë të tjera ka ushtruar presion ndaj bashkëshortes, e cila jeton me qira në një prej rrugicave të lagjes Nr. 1 në afërsi të Bulevardit "Republika".

Ai i ka kërkuar bashkëshortes të heqë dorë nga procesi i divorcit por ajo ka qenë kundër ribashkimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë