Ngjarje

Korçë / Arrestohet mësuesi, ngacmoi seksualisht në WhatsApp dy 14-vjeçare. Pezullohet nga puna

Nga Gazeta Si- Një mësues në shkollën 9-vjeçare në Korçë, “Sotir Gurra”, është arrestuar nga policia pasi dyshohet se ka ngacmuar seksualisht dy nxënëse 14-vjeçare të shkollës.

Mësuesi 45-vjeçar Bledar Duro, sipas policisë, dyshohet se i ngacmoi nxënëset nëpërmjet aplikacionit “WhatsApp”.

Burime paraprake, bëjnë të ditura se 14-vjeçaret merrnin mesazhe në aplikacionin whatsapp nga mësuesi i tyre, i cili dyshohet se i ka ngacmuar në harkun kohor të një muaji.

Ndërkaq, burime nga Drejtoria Rajonale e Arsimit Parauniversitar, bëjnë me dije se pas arrestimit nga policia, mësuesi i arteve pamore pranë kësaj drejtorie është pezulluar nga puna.

Sipas burimeve nga grupi hetimor, mësohet se mesazhet kishin përmbajtje të rënda, të cilësuara si skandaloze, të cilat nuk mund të bëhen publike.

Kanë qenë vajzat, ato që bashkë me prindërit i janë drejtuar komisariatit të policisë së Korçës për të denoncuar rastin e rëndë, ku kanë zbuluar edhe mesazhet që u dërgonte mësuesi.

Sipas të dhënave, mesazhet dërgoheshin kur nxënëset nuk ishin në shkollë, pra jashtë orarit mësimor, ndërsa ishin bërë shumë të shpeshta kohët e fundit, sa e vetmja mënyrë për të ndaluar mësuesin ishte ta denonconin në polici. Bledar Duro u arrestua menjëherë nga policia, ndërsa pritet të zbardhen më tepër detaje lidhur me rastin.

“Komisariati i Policisë Korçë arrestoi në flagrancë shtetasin B. D., 45 vjeç, banues në Korçë, me detyrë mësues në një shkollë 9-vjeçare, pasi dyshohet se ka ngacmuar seksualisht, nëpërmjet aplikacionit “WhatsApp”, dy 14-vjeçare, nxënëse të shkollës. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan celularët e këtyre shtetasve”, njoftoi policia.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë