Ka ndodhur

Korçë, 81-vjeçari goditet me sende të forta në banesë pas përleshjes me shokun e tij. Ishin të dy në gjendje të dehur

Gazeta Si – Një 81-vjeçar, Gaqo Tili, ka përfunduar në spitalin e Korçës me plagë të rënda në kokë pas një sherri me sende të forta me shokun e tij 72-vjeçar, i cili është identifikuar dhe arrestuar nga policia.

Pista e grabitjes ka rënë totalisht poshtë, pasi sipas policisë, ka rezultuar se në gjendje të dehur, dy të moshuarit janë konfliktuar në banesë me njëri-tjetrin për motive të dobëta.

Edhe autori, me iniciale G.A., mësohet se është i lënduar, por paraqitet pa probleme për jetën. Mësohet se 72-vjeçari është shok me të moshuarin e dhunuar.

Sipas burimeve, ai është gjetur në banesën e tij me dëmtime trupore, por jashtë rrezikut për jetën. G.A., ka deklaruar para uniformave blu se kanë pirë alkool gjatë banesës dhe janë zënë pa asnjë shkak konkret në gjendje të dehur.

Sipas njoftimit të policisë, në orën 07:05 i moshuari Gaqo Tili ka arritur në spital, ku ka kërkuar ndihmën e parë.

Policia ka shkuar në vendngjarje dhe ka konstatuar as dera e banesës dhe as dritaret e saj, nuk janë të dëmtuara.

Nga këqyrja e banesës, si dhe nga sendet dhe provat e gjetura, u dyshua që në fillim se 81-vjeçari mund të jetë konfliktuar me ndonjë person që e ka pasur në banesë.

Aty janë gjetur pije alkoolike në tavolinë, çka solli dyshimet që kanë qenë duke konsumuar alkool dhe në gjendje të dehur mund të jenë konfliktuar.

“Policia identifikon, kap dhe arreston në flagrancë autorin e dyshuar të ngjarjes. Në vijim të informacionit paraprak të dhënë ditën e sotme, në lidhje me ngjarjen ku në lagjen nr. 15, Korçë, në banesën e tij u gjet i dëmtuar me sende të forta shtetasi G. T., 81 vjeç, ju informojmë se: shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj personit të DVP Korçë, në drejtimin e Prokurorisë, në vijim të punës për zbardhjen dhe dokumentimin me prova ligjore të kësaj ngjarjeje, bënë të mundur identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar. Si rezultat u arrestua në flagrancë shtetasi: -G. A., 72 vjeç, banues në Korçë”, – njofton policia.

Ndërkohë, për ngjarjen kanë folur edhe fqinjët, të cilët shprehen se kur kanë mbërritur në banesë e kanë gjetur 81-vjeçarin në gjendje tejet të rëndë dhe të mbuluar në gjak.

“Pas orës 7 vjen komshija me shumë shpejtësi dhe thotë hajde se ka vdekur Gaqoja, dera ishte hapur dhe ai ishte i tëri i shtrirë dhe i mbuluar me gjak. Lajmëruam ambulancën, hymë brenda në banesë dhe pamë që ishte mbuluar me gjak dhe shtëpia ishte shumë rrëmujë dhe me gjak nga të gjitha anët. Viktima rënkonte dhe jepte përgjigje të pakuptueshme. Morëm spitalin dhe policinë kjo e fundit erdhi në moment. Nuk shoqërohej me njeri vetëm me të pallatit këtu, nuk ka asnjë të afërm vetëm motrën e moshuar. Nuk kam ditur gjë për probleme të tij, vetëm di që është rëndë në spital”, shprehen fqinjët.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë