Ka ndodhur

Korçë, 3 persona transportuan dhe morën peng 23 emigrantë për 10 mijë euro

Gazeta Si – Tre persona janë arrestuar në Korçë, pasi transportuan kundrejt fitimit 23 emigrantë të paligjshëm, i vodhën me dhunë dhe më pas i mbajtën në një banesë të braktisur, duke iu hequr lirinë, në këmbim të 10.000 eurove.

Por jo vetëm kaq, kur policia iu vu nga pas, njëri prej trafikantëve nuk iu përgjigj urdhrit për të ndaluar. Megjithatë në përfundim të tre ranë në pranga.

Në një njoftim për mediat, Policia e Korçës tha se të arrestuarit janë Kristiano Ajasllari 38 vjeç, banues në fshatin Bregas, Maliq; Adri Levendi 24 vjeç, banues në Vlorë; Esli Levendi 23 vjeç, banues në Tiranë.

Policia tha se tre shtetasit e mësipërm në bashkëpunim mes tyre kishin transportuar shtetasit e huaj me një automjet tip furgon dhe më pas i kishin fshehur ata tek banesa e braktisur, ku nëpërmjet kërcënimit ju kishin vjedhur celularët e tyre. Në këmbim të lirisë së tyre autorët ju kishin kërkuar emigrantëve 10.000 euro.

Gjithashtu shërbimet e Policisë kapën edhe shtetasin Esli Levendi i cili po lëvizte me një automjet tip “Audi”, gjatë kontrollit të të cilit u gjet një shkop metalik i ngjashëm me atë të policisë.

Në kuadër të këtij operacioni në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 3 automjete, 3 aparate celulare, 1 shkop metalik dhe sasi në lekë dhe euro”, thuhet në një njoftim të policisë së Korçës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë