Monitorimi i ajrit i kryer në bashkinë e Korçës gjatë gushtit të këtij viti, në 150 pika, kryesisht, rrugët dhe lagjet kryesore të qytetit tregoi nivel të lartë të dioksidit të azotit, grimcave të ngurta të respirueshme dhe dioksidit të karbonit, jashtë normave të lejuara shqiptare dhe ndërkombëtare.
Sipas raportit të hartuar nga Qendra Mjedisore për Mbrojtje, Edukim dhe Rehabilitim, EPER Center, në bashkëpunim me tre organizata të tjera mjedisore, shkak i ndotjes janë gazrat që çlirohen nga djegia e druve të zjarrit për ngrohje në sezonin e dimrit, dhe ato të çliruar nga automjetet si pasojë e cilësisë së karburanteve, specifikisht gjatë periudhës së verës.
Dioksidi I Azotit (NO2)
“Niveli i përqëndrimit të lejuar të NO2 sipas standardit Shqiptar, Europian dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë është 43.99 NO2
Nga monitorimi u konstatua tejkalim dyfish i kësaj norme, 84 μg/m3, kryesisht në rrugët dhe kryqëzimet kryesore të Bashkisë së Korçës”, thuhet në raportin e EPER Center.
Sipas raportit, rruga “Vojo Kushi” (në kryqëzimin me bulevardin “Gjergj Kastrioti”) ka shënuar vlerën më të lartë të monitorimit të dioksidit të azotit me 84 μg/m3.
Prania e grimcave të ashpra (PM10)
Sa i takon grimcave të respirueshme të ashpra, matjet e realizuara në Bashkinë e Korçës gjatë sesiozit të verës tregojnë që vlera mesatare është 14.49 µg/m3, pra ky parametër është brenda standarteve të lejuara të BE. Por në zona të caktuara p.sh. tek bulevardi “Gjergj Kastrioti”, bulevardi “Republika” përqëndrimi i grimcave të pluhurit PM10 ka arritur deri në 90 μg/m3 (standardi shqiptar - 60 μg/m3, BE-së - 40 μg/m3, OBSH - 15 μg/ m3).
Shkarkimet e automjeteve me naftë (kamionet, mikrobuzët, veturat) dhe insfrastruktura e dëmtuar e rrugëve urbane janë përgjegjësit kryesorë për shumicën e sasisë së PM10 në ajër në këto zona.
Këto shkarkime të PM10 mund të shkaktojnë dhe përkeqësojnë sëmundjet e zemrës dhe mushkrive, goditje në zemër dhe aritmi. PM10 mund të dëmtojnë sistemin nervor qëndror, systemin prodhues dhe mund të shkaktojnë kancer. Një nga rezultatet e ekspozimit të PM10 mund të shkaktojë vdekje të parakohshme”, thuhet në raportin e monitorimit të ajrit për bashkinë e Korçës.
Dioksid karboni (CO2)
Një tjetër parametër mbi normën e lejuar është dhe përqëndrimi në ajër i dioksidit të karbonit, CO2.
“Përqëndrimi i CO2 mbi normën e lejuar të OBSH dhe BE, respektivisht 350 ppm/m3 dhe 291.55 ppm/m3 në disa pika ka kapur edhe 395 ppm/m3”- , thuhet në raport.
CO2 formohet nga djegia e plotë e lëndëve djegëse fosile (qymyr, gaz natyror, naftë) dhe produkte që përmbajnë karbon (si druri), lëshohet gjithashtu përmes frymëmarrjes nga organizmat e gjallë dhe nga oksidimi gradual i lëndës organike në tokë.
CO2 hyn në reaksion me ndotësit e tjerë duke prodhuar ozonin e atmosferës. CO2 është një ndotës që në nivele të larta mund të shkaktojë probleme në zemër dhe të dëmtojë sistemin nervor.
Gjithashtu ai mund të shkaktojë dhimbje koke, marramendje dhe lodhje.
“Sfida kryesore që pasqyrohet në Bashkinë e Korçës lidhet me adaptimin dhe zbatimin e planit të veprimit në nivel vendor.
Mungesa e këtij plani në nivel qëndror, bën që ky adaptim të mungojë edhe në Bashkinë Korçës.
Strategjia Kombëtare e cilësisë së ajrit e miratuar në vitin 2014 vazhdon të jetë dokumenti kryesor legjitim për mbrojtjen e cilësisë së ajrit.
Por ky dokument nuk është zbatuar në pothuajse asnjë nga sektorët përkatës”,shkruhet në konkluzion të Raportit mbi Cilësinë e Ajrit Urban në Bashkinë Korçë në të cilin jepet një pasqyrë e qartë e nivelit të ndotësve që rrezikojnë shëndetin e popullatës dhe mjedisin e qytetit të “serenatave”.
Raporti i publikuar së fundi vjen si sfidë ndaj boshllëkut që ka lenë në këtë fushë Agjencia Kombëtare e Mjedisit, që, sikurse për të gjitha bashkitë e vendit, e ka detyrim ligjor të monitorojë në mënyrë periodike gjëndjen e mjedisit në Korçë”, thuhet në raportin përfundimtar për të dhënat e monitorimit të ajrit në qytetin e Korçës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.