Drejtësia

Kopjoi të dhënat e TIMS gjatë natës me persona të panjohur, merret i pandehur Ervin Muça, drejtor i IT në Policinë e Shtetit

Gazeta Si – Drejtori i IT në Policinë e Shtetit, Ervin Muça, është marrë si i pandehur nga Prokuroria e Tiranës, pasi akuzohet se kopjoi pa autorizim të dhënat e sistemit TIMS.

Ndaj tij rëndon akuza e shpërdorimit të detyrës për ndërhyrje të paautorizuar në sistemin TIMS, duke nxjerrë të dhëna sensitive.

Sipas organit të akuzës, Muça ka urdhëruar punonjësit për hapjen e portave USB. Veprimet janë kryer prej tij deri në orët e vona të natës dhe në godinë janë futur persona të paautorizuar për të asistuar në procesin e “back up”.

“Konkretisht shtetasi K. M; jo pjesë e stafit, shpeshherë ka hyrë me pinin personal të një punonjësi tjetër jo prezent”, njoftoi prokuroria.

“Gjithashtu, vërtetohet qartësisht lidhja midis pajisjes hard disk të sekuestruar me kompjuterin e identifikuar të lidhur me serverat; lidhje e realizuar për të mundësuar kryerjen e një procesi back up manual, duke eksportuar të dhëna në hard disk. Proces, i cili nuk ka pse të kryhet pasi vetë sistemi automatikisht bën dy back-up-e, për më tepër në pajisjen hard disk të sekuestruar evidentohen gjurmë të procesit të back up. Sa më sipër, hyrja e paautorizuar kompjuterike është realizuar. Pas hapjes së portave USB, procesi i back up ka filluar, vijuar, por nuk është përfunduar plotësisht”, shtoi organi i akuzës.

Prokuroria thotë se ka vendosur që të bëjë ndarjen e çështjes sa i takon veprës tjetër penale, atë të shpërdorimit të detyrës.

Ish-drejtori i IT-së në Policinë e Shtetit, Ervin Muça është në “arrest shtëpie aktualisht”. Pas këtij rasti, në Parlament u ngrit edhe një komision hetimor, ku dëshmuan përveç Muçës, edhe ish-Drejtori i Policisë, Muhamet Rrumbullaku dhe ish-ministri i Brendshëm, Taulant Balla.

Çështja ndaj tij është veçuar nga Prokuroria për shkak se kanë përfunduar afatet e hetimit, ndërsa organi i akuzës po heton persona të tjerë për akuzën e shpërdorimit të detyrës.

Më 17 gusht 2023, i ngarkuari me punë i SHBA-ve në Tiranë H. Martin McDowell, takoi ministrin e Brendshëm, Taulant Balla, ku shprehu shqetësimin lidhur me ndërhyrjet e raportuara në sistemin TIMS në Policinë e Shtetit dhe nxiti një hetim të shpejtë dhe të gjithanshëm.

Më 25 gusht 2023 në një konferencë për mediat, kryeministri Edi Rama e quajti sajesë dhe sipas tij e gjitha kishte të bënte me një çështje thjesht teknike. Hetimet kanë nisur që prej shtatorit të vitit 2023.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë