Politike

Kopjimi i sistemit TIMS, Salianji: Punë e një grupi të struktuar në nivele të larta. Persona të paautorizuar kanë pasur akses në sistem

Nga Gazeta Si - Kryetari i Komisionit Hetimor për çështjen e sistemit TIMS, Ervin Salianji beson se çështja e kopjimit të paautorizuar të sistemit të sigurisë TIMS nga drejtori i IT në Policinë e Shtetit është çështje që shkon shumë më lart sesa një drejtor. Në një intervistë për Gazeta Si, zoti Salianji solli në vëmendje se drejtori mbahet ende në punë, megjithëse i pezulluar me urdhër të prokurorisë.

“Ai ka patur një pezullim, kur Policia u njoftua për ndërhyrjen e paautorizuar të drejtorit në sistemin TIMS, por u rikthye sërish në detyrë. Pra nuk është punë e një personi, por ka një vullnet më të madh politik. Kemi dyshimin e arsyeshëm se kemi të bëjmë me grup të strukturar, që shkon deri në nivelet më të larta të drejtimit politik dhe zyrtar të Policisë së Shtetit.” tha kreu i komisionit hetimor parlamentar. Gjatë intervistës, zoti Salianji tregoi detaje nga hetimi i deritanishëm dhe dëshnitë në komision, deri në pikën që atij i lejohet nga një urdhër i prokurorisë për të mos nxjerrë sekretin. Një nga këto të dhëna ishte përdorimi i TIMS-it nga persona që janë në këkim nga Policia, por në sistem dalin të pastër.

Gazeta Si: Zoti Salianji, çfarë prodhuan seancat dëgjimore në komisionin hetimor parlamentar për sigurinë e sistemit TIMS?

Ervin Salianji: Në fazën që jemi, më duhet të them se nga dokumentacioni i administruar, por edhe nga marrja në pyetje e dëshmitarëve të parë, kemi verifikuar çdo pretendim që kemi thënë në publik, madje i kemi tejkaluar ato, se në systemin TIMS është ndërhyrë dhe se ai është përdorur nga njerëz të paautorizuar jashtë Policisë së Shtetit. Unë doja dhe votova që dëshmitë të jenë të hapura, por dyert u mbyllën për publikun për shkak të ligjit që kanë miratuar socialistët për komisionet hetimore dhe vendimit të tyre për t’i marrë dëshmitë me dyer të mbyllura. Kjo ndodhi, edhe pse nuk kishte ndonjë sekret as në dëshminë e Ministrit të Brendshëm as në dëshminë e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë. Tjetër gjë dëshmia e drejtorit të Departamentit të IT-së, Ervin Muça. Mund të përsëris, se jo vetëm është verifikuar që ka patur ndërhyrje në të dhënat e sistemit TIMS, por kemi edhe të dhëna të tjera që janë tronditëse, të cilat do t’i verifikojmë zyrtarisht dhe do t’i bëjmë publike, kur të bëjmë raportin përfundimtar.

Gazeta Si: Nga dokumentat, dëshmitë, informacionet që keni, sa i sigurtë është sistemi TIMS tani që dihet se ka një hetim për ndërhyrje të paautorizuar në të apo kur dihet se ai është kopjuar?

Ervin Salianji: Ka pretendime, jo nga ne, por nga drejtues të Policisë së Shtetit, pretendime që duhet të verifikohen, se sistemi TIMS ka qenë lehtësisht i aksesueshëm nga persona jashtë Policisë së Shtetit, që kanë dashur ta kenë në dispozicion.  Nuk dua të spekuloj dhe të them që këto janë grupe kriminale, por e kam me dokumentacion zyrtar që nuk është sekret, se persona të pautorizuar, që nuk janë pjesë e Policisë së Shtetit, kanë patur, sipas dokumentave, akses të paautorizuar në sistemin TIMS përpara ndërhyjes së 1 gushtit 2023. Eprorët janë informuar se ka patur persona që u kanë kijuaar akses të paautorizuar personave që nuk kanë lidhje fare me të qenit zyrtar i shtetit. Një dokument tjetër bën me dije se, me kontaktin e duhur në Policinë e Shtetit, persona në kërkim kanë bërë të mundur që emri i tyre të mos dalë në sistem që janë në kërkim, kur ata kanë kaluar në pika kufitare. Në këtë sens komisioni hetimor ka tejkaluar edhe pritshmëritë kur ne kërkuam ngritjen e tij.

Gazeta Si: Drejtori i IT-së, në arrest shtëpie, që akuzohet se ka kopjuar pa autorizim sistemin TIMS, nuk është shkarkuar nga detyra. Çfarë shpjegimi u dha në komision?

Ervin Salianji: Nuk mora ndonjë përgjigje të qartë, sepse mesa duket, ata nuk kanë fuqi. Ka fuqi më të mëdha sesa ata. Sot e kësaj dite, PS përmend një rast të qeverisë Berisha, kur Drejtori i Tatimeve atëherë mbahej në arrest shtëpie dhe nuk shkarkohej. Tani, Drejtori i IT-së së Policisë së Shtetit jo vetëm ka 10 muaj që është kapur në shkelje, por ka masë sigurie dhe është ende drejtor. Përgjigja e autoriteteve më të larta politike dhe policore është se do të lënë të përfundojnë hetimet, pastaj do të vendosin. Por ata që në nisje të emërimeve i kanë bërë me një mal me paligjshmëri. Rasti konkret i këtij drejtori është se ka hyrë në ambientet e policisë në 19 qershor 2023 dhe emërimin e ka në 27 qershor. Aplikimi për këtë rast dhe të tjerë, është në vetëm 2-3 ditë, aplikanti ka qenë i vetëm, nuk ka plotësuar formularin për ligjin e dekriminalizimit, pra është totalisht e paligjshme dhe në përgjegjësinë e Policisë së Shtetit.

Faktin që shkresat janë me data të ndryshme, elementët e paligjshëmrisë, procedura brenda ditës dhe mosfunksionimi i hallkave të Policisë së Shtetit, u quajtën gjatë dëshmive si gabim njerëzor. Megjithë këmbëngulje time dhe të kolegëve gjatë pyetjeve, nuk arritëm të kuptonim një argument bindës për mbajtjen në detyrë. Ka një standard të dyfishtë, sepse kur një polic kryen paligjshëmri, përjashtohet menjëherë, ndërsa për këtë rast, pavarësisht se ka shkelje, është ende në detyrë, me masën pezullim të kërkuar nga prokuroria. Ai ka patur një pezullim, kur Policia u njoftua për ndërhyrjen e paautorizuar të drejtorit në sistemin TIMS, por u rikthye sërish në detyrë. Pra nuk është punë e një personi, por ka një vullnet më të madh politik. Kemi dyshimin e arsyeshëm se kemi të bëjmë me grup të strukturar, që shkon deri në nivelet më të larta të drejtimit politik dhe zyrtar të Policisë së Shtetit.

Gazeta Si: Në vlerësimin tuaj, si ka vepruar Policia e Shtetit në raport me informacionet që ka patur për ndërhyrjet e paautorizuara në sistem, jo vetëm të rastit të gushtit 2023 me Drejtorin e IT, por edhe kur u sulmua nga hackerat në 2022?

Ervin Salianji: Ne kemi marrë një pretendim, që duhet ta verifikojmë, sepse, në thelb, cënon sigurinë kombëtare, që Policia e Shtetit dhe drejtuesit që kanë raportuar në komisionin parlamentar të Sigurisë kanë gënjyer për nivelin e ndërhyrjes në sistemet e Policisë së Shtetit në 2022. Sipas informacioneve që ne do t’i konfirmojmë, të gjithë të dhënat policore, janë hakeruar në vitin 2022. Pra, policia ka thënë në komision se nuk janë prekur sistemet e policisë gjatë hakerimit iranian në 2022, që nuk është ndërhyrë në kartotekë, nuk është ndërhyrë në sistem, pasi sistemi ka qendruar. Ndërsa pretendimi tani është që ka patur ndërhyre në të dhënat e sistemit TIMS. Ne po punojmë për ta verifikuar dhe kemi dyshime të arsyeshme se kjo ka ndodhur realisht dhe që është prekur sistemi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë