Futboll

Kooperativë goli, askush nuk shënon sa mbrojtësit e Atalantës

Në 5 kampionatet më të fortë në Europë, skuadra e drejtuar nga trajneri Gasperini, bashkë me Interin, është ajo që ka shijuar më shumë kontributin e repartit të prapavijës. Plot 34 gola deri tani për Atalantën nga mbrojtësit, i fundit ai i Berat Gjimshitit në Kupën e Italisë ndaj Lacios.

Iliçiç ka rilindur, Zapata është në nivelin e tij, Muriel s’ka qenë kurrë kaq i fortë, dyshja Malinovski-Mirançuk rezerva luksi dhe Gomez i rëndësishëm, por jo thelbësor. Nëse sheh sezonet e fundit të Atalantës, bien në sy sulmuesit, por Atalanta në fakt është një skuadër që shkatërron gjithçka i del përpara, një makineri golash. Dhe kjo vjen edhe falë punës së madhe të mbrojtësve të saj.

Berat Gjimshiti feston golin ndaj Lacios. Gazeta Si, 28 janar 2021

Një nga golat më të rëndësishëm të sezonit, atë të ndeshjes së kthimit ndaj Midtjylland në Champions, një nga më të këqijat e Atalantës, e ka shënuar Romero, një mbrojtës qendre. Në Kupën e Italisë të mërkurën ndeshjen e zhbllokoi Gjimshiti, një tjetër mbrojtës. Dhe pikërisht me atë gol Atalanta ka shënuar një rekord, që e ndan me Interin. Asnjë skuadër në 2 sezonet e fundit në 5 kampionatet kryesorë në Europë, nuk ka shënuar kaq shumë me mbrojtësit.

Janë 34 golat e realizuar në të gjitha kompeticionet nga mbrojtja e Atalantës, që luan, fiton dhe shënon si skuadër. Një ndihmë të madhe në këtë sens kanë dhënë lojtarët e krahëve. Robin Gosens sezonin e shkuar shënoi 8 gola, 1 në Champions, kurse këtë sezon ka shënuar 6 gola, 5 në kampionat dhe 1 në Europë. I rëndësishëm edhe kontributi i Hans Hateboer, 4 gola në 2 sezonet e fundit. Timoti Kastanje ka shënuar 2 gola sezonin që shkoi. Nga mbrojtësit e qendrës, Toloi ka shënuar 2 gola sezonin e shkuar dhe po 2 gola në këtë aktual, ashtu si Romero. Tre gola ka shënuar Gjimshiti, një më shumë se Palomino.

E vetmja skuadër që afrohet me Atalantën dhe Interin, është Lajpcigu i Nagelsman, ku 9 gola ka shënuar vetëm mbrojtësi i krahut Angelino. Torino ka shënuar 27 gola me mbrojtësit, 1 më shumë se Roma dhe Reali. Më pas vjen Çelsi, që ka shënuar 24 herë me anë të mbrojtësve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë