Ka ndodhur

Një pjesë e kontrollorëve shqiptarë rimarrin Kullën nga turqit dhe grekët

Një pjesë e mirë e kontrollorëve shqiptarë po u rikthehen vendeve të punës në kullë, duke zëvendësuar kolegët e tyre turq e grekë që mbëritën ditën e enjte në Shqipëri për të normalizuar situatën e fluturimeve në Rinas.

Aktualisht, në Kullën e vrojtimit janë në detyrë kontrollorë shqiptarë, turq dhe grekë, ndërsa prej mëngjesit uljet dhe zbritjet e avionëve në pistë janë kryer sipas parashikimeve.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Transportit, Belinda Balluku tha se plani i pengmarrjes së aeroportit dështoi.

“Albcontrol në normalitet të plotë. Kontrollorët e kthyer në përgjigje të apelit tonë jane në krye të detyrës. Drejtësia të zbardhë deri në fund ngjarjen e rëndë. Plani i pengmarrjes dështoi”, deklaroi ajo përmes rrjeteve sociale.

LEXO EDHE:
– “Mbylle kullën!”, bisedat që fundosën kontrollorët e arrestuar: S’kam guxim deri këtu
– Kontrollorët ajrorë/ Gjenezat e një konflikti që vlon prej një viti

Fluturimet në Rinas rinisën pasditen e së enjtes pas thuajse dy ditësh ndërpreje për shkak të protestës së kontrollorëve shqiptarë, që kërkonin rikthimin e pagave në nivelet e para pandemisë.

Ata nënshkruan në bllok deklaratën e deklarimit të paaftësisë për punë, duke mohuar se protesta e tyre ishte një grevë. Por, Kryeministri Edi Rama dhe ministrja Belinda Balluku thanë se bëhej fjalë për një grevë të mirëfilltë të organizuar nga Presidenti Ilir Meta dhe ish-Kryeministri, Sali Berisha dhe i kërkoi nisjen e hetimeve nga ana e Prokurorisë.

Nga hetimet, prokuroria dhe policia thanë se kishin siguruar komunikime në WhatsApp mes kontrollorëve që provonin se bëhej fjalë për një protestë të organizuar. Tre kontrollorë u arrestuan si organizatorët e kësaj proteste me akuzën e “shpërdorimit të detyrës”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë