Drejtësia

Kontrolli i BKH në banesë, Gjykata e Lartë kthen për rigjykim në Apel ankimin e vëllait të Erion Veliajt

Gazeta Si – Gjykata e Lartë ka pranuar pjesërisht ankimin e bërë nga Arbër Veliaj, vëllai i kryebashkiakut Erion Veliaj mbi sekuestrimin e telefonit dhe kontrollet e BKH në shtëpinë dhe zyrën e tij në dhjetor 2024.

Vendimi u dha nga treshja e gjyqtarëve Albana Boksi, Medi Bici dhe Sokol Binaj të cilët pas seancës të zhvilluar në dhomë këshillimi, vendosën të rikthejnë çështjen në Apel për rigjykim, tek i njëjti trupë gjykues.

Pasi Shkalla e Tretë e gjyqësorit të zbardhë vendimin, në Apelin e Posaçëm, gjyqtari Engert Pëllumbi, do të marrë edhe njëherë në shqyrtim ankimin e Arbër Veliajt, i cili kundërshtoi vendimin e GJKKO për sekuestrimin e materialeve në banesën dhe zyrën e tij, si dhe për kontrollet e ushtruara në këto dy ambiente në kohën kur ai ndodhej jashtë vendit.

Ai pretendon se vendimi që lejoi kontrollin e tij personal dhe të ambienteve e bizneseve të lidhura me të është i paligjshëm.

Në dhjetor të vitit të kaluar, agjentët e BKH me urdhër të SPAK dhe vendim të GJKKO, mësynë në banesën dhe zyrën e Arbër Veliajt në kuadër të hetimit pasuror që Prokuroria e Posaçme po kryente për vëllain e tij Erion Veliaj.

Kryebashkiaku i Tiranës, qëndron në paraburgimin e Durrësit që prej 12 shkurtit dhe ka mohuar akuzat ndaj tij, duke pretenduar se hetimi është dashakeqës dhe për motive personale të prokurorit të SPAK, Olsi Dado.

Veliaj akuzohet nga SPAK për dyshimet se është përfshirë në korrupsion dhe pastrim parash.

Ndërsa bshkëshortja e tij, Ajola Xoxa po hetohet deri më tani për korrupsion pasiv në 9 episode, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurish. Ajo është nën masën e sigurisë “detyrim paraqitje” dhe ndalim i daljes jashtë shtetit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë