Ndërkohë që Policia e Shkodrës po zhvillonte kontrolle në lidhje me autorët e grabitjes të bankës, forcat e rendit kanë arritur të zbulojnë edhe një shtëpi bari me qindra rrënjë kanabis.
Operacioni “Syri i Sheganit” kishte për qëllim të zbardhte ngjarjen e 9 majit në Koplik, duke zbuluar edhe një banesë të përshtatur për kultivim të bimëve narkotike, me anë të llambave.
Në njoftimin e policisë shkruhet se janë arrestuar shtetas nga Cërriku të cilët ishin punësuar për tu kujdesur për bimët.
Në banesë u gjetën dhe u sekuestruan rreth 22 kilogramë kanabis sativa, 455 bimë narkotike të kultivuara në ambientin me llamba, si dhe 245 bimë të tjera narkotike të kultivuara në oborrin përreth banesës së shtetasit Ramiz Nikdukaj, 64 vjec.
“U arrestuan në flagrancë edhe shtetasit A. L, 43 vjeç, banues në Cërrik, dhe B. K., 64 vjeç, banues në Cërrik, pasi u kapën në flagrancë duke punuar në ambientin në të cilin kultivoheshin bimët narkotike, me anë të llambave”, shkruan policia.
Gjithashtu u shpall në kërkim shtetasi A. N. (djali i Nikdukaj), dhe u procedua në gjendje të lirë shtetasja E. N.(vajza e shtetasit Nikdukaj). Gjithashtu, u proceduan në gjendje të lirë, për shpërdorim detyre, 2 elektricistë të zonës, shtetasit P. I. dhe G. B.
Ndërkohë që zhvilloheshin kontrolle në zonën e Malësisë së Madhe në banesa të ndryshme të personave që kishin lidhje me autorët e grabitjes së bankës, policia gjeti 9 kg drogë në banesën e njërit prej tyre. Lënda narkotike u zbulua në banesën e shtetasin, Albin Shabaj, “i cili ka lidhje shoqërore me autorët e dyshuar të grabitjes së bankës”.
Për rastin, u arrestuan në flagrancë vëllezërit Albin Shabaj dhe Altin Shabaj, si dhe babai i tyre, Ermir Shabaj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




