Ngjarje

Kontrolle me polumbarë në anijen me kokainë, asnjë i arrestuar deri tani

Gazeta Si - Një ditë pas zbulimit të rreth 60 kg kokainë në Portin e Durrësit, anija me qymyr i është nënshtruar kontrollit me polumbarë edhe në pjesën e poshtme të saj.

Agjentët antidrogë kanë pasur dyshime të forta se sasia e lëndës narkotike mund të jetë më e madhe.

Polumbarët e forcave RENEA, kanë ushtruar kontrolle në pjesën e motorit të anijes “Unistream” këtë të mërkurë.

Nga ana tjetër, agjentët vijojnë kontrollin në tonelatat me qymyr të nxjerra tashmë jashtë anijes në pjesën e kalatës.

Për verifikimin e saj, qymyri është kaluar në sitë nga ana e agjentëve të antidrogës.

Ndërkohë është kontrolluar dhe për pjesë të shtuara në hambarin e anijes. Sasia prej 59 kg kokainë e ndarë në 53 pako, e cila u zbulua në pjesën e hambarit të anijes që vinte nga Kolumbia, është dërguar në laborator për analizim.

Rreth 6.500 tonë qymyr që mbante në bord anija ishin porositur nga një kompani turke me veprimtari në Shqipëri.

Gjatë marrjes në pyetje, ekuipazhi i anijes “Unistream” ka mohuar të ketë pasur dijeni për ngarkesën me kokainës tashmë të sekuestruar.

Në operacion, përveç Policisë së Shtetit, kanë marrë pjesë edhe oficerë të SPAK-ut, por deri tani nuk ka asnjë person të arrestuar.

Zbulimi i pakove të kokainës u bë nga Task Forca e Portit të Durrësit, pas sinjalizimit të bënë partnerët ndërkombëtarë tek autoritetet shqiptare.

Në Portin e Durrësit janë zbuluar që prej vitit të shkuar qindra kg kokainë dhe heroinë. Por këtë herë trafikantët kanë ndryshuar strategji.

Për të mos u pikasur nga policia, ata kanë zgjedhur ta transportojnë drogën në një anije me qymyr dhe jo përmes ngarkesave me banane.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë