Kryetari i Partisë Lëvizja Demokratike Shqiptare, Myslim Murrizi abstenoi një ditë më parë, kur Kuvendi miratoi tre aktet normative që në thelb i hapnin rrugën marrëveshjes me Pfizer për sigurimin e vaksinës kundër Covid-19.
Deputetët nuk morën vesh se çfarë miratuan pasi kontrata konsiderohej sekret tregtar.
Por Myslim Murrizi është njohur me detaje rreth kontratës një ditë më pas gjatë punës në komisione, për rreth një orë e gjysmë, duke zbuluar disa detaje nga marrëveshja. Sepse, sipas Myslim Murrizit, kontrata konsiderohet konfidenciale, por jo sekrete. Ndaj dhe në një intervistë për “Fax News”, Murrizi ka përcjellë disa detaje interesante
“Është një material konfidencial i thjeshtë. Kam parë detajimin me faza të kontratës, zgjatshmërinë e afatit deri kur, çmimin për vaksinë, përgjegjësitë që merr kompania Pfizer me këtë marrëveshje si dhe përgjegjësitë që merr qeveria shqiptare.
Kam parë dhe analizuar për rreth 1 orë e gjysëm materialin e konsideruar konfidencial dhe jo sekret. ..Është hera e parë dhe nuk e di se pse, por kjo është një kontratë përulëse…”, tha Murrizi
Në ç’kuptim përulëse?
“Pala shqiptare merr të gjithë përgjegjësinë nga atje ku do të merret, pra merr përsipër transportin, garancinë, mirëmbajtjen, kushtet shpërndarjen dhe ruajtjen e vaksinave. Nëse pala prodhuese nuk i qëndron kontratës, kontrata nuk lë hapësirë që pala blerëse t’i drejtohet gjykatës”, thotë Murrizi.
Më tej, ai vëren: “Kapari i kërkuar është gati gati gjysma. Në të gjitha marrëdhëniet tregtare kërkohet kapari 10%, 20%, maksimalja 30%. Gjithësesi unë uroj më të mirën për Shqipërinë, por afati është i gjatë, kontrata është e gjatë dhe e kapërcen vitin 2021 si kontratë”.
Pasi ka lexuar kontratën, Murrizi ka arritur në përfundimin se shqiptarët duhet ta zgjidhin vetë këtë “hall” duke u mbrojtur vetë nga pandemia.
Murrizi u rrek të mos sqaronte më tej duke thënë disa herë se kontrata ishte konfidenciale. Por kur gazetarja tha se çmimi i secilës dozë është diku tek 18 dollarë, Murrizi ndërhyri: “Jo ua kanë dhënë gabim çmimin. Është diku tek 12 dollarshi, por është i gjatë afati se kur do të bëhet pagesa. Brenda 30 ditëve duhet të bërë një pagesë pastaj duhet marrë çertifikimi deri nga 30 qershori nga Komisioni Europian, është një burokraci nuk është thjesht një marrëdhënie tregtare është pak më e gjatë sesa ku di unë nga këta që porosisin makina në SHBA përshembull edhe kjo është një farë kontrate dypalëshe jo fleksibël dhe do të ketë kohë përderisa është gati gati deri në fund të vitit 2022”.
Pfizer, sipas tij, mban përgjegjësi vetëm për prodhimin. Për të gjitha të tjerat pastaj mban përgjegjësi pala blerëse.
Murrizi disa herë nënvizoi se duhen hedhur sytë edhe nga vaksinat e tjera që shpërndahen në kushte më komode dhe në një kohë shumë më të shkurtër sesa ajo me Pfizer. “Kontrata deri në 2022… besoj se do kalojë vetë pandemia. Nuk ka nevojë për gjithë atë kohë”, shtoi Murrizi me doza ironike.
Një thumb e kishte edhe për Ministrin e Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj, si palë në negociata për sigurimin e vaksinës Pfizer.
“Nuk e di pse është futur kjo Ministria e Rindërtimit se vaksina nuk besoj se do përdoret si kolona meqenëse janë prish shpiat, por meqë është punë lekësh do Rama të ketë ndonjë njeri të vetin aty se nuk i besoka më “lules” së Ministrisë së Shëndetësisë se ky i quan lule. Nuk e di se çfarë ndikimi mund të ketë një ministri me 7 veta në punë, tek kjo marrëveshja për vaksinat”, tha Murrizi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.