Drejtësia

Kontrabandë e pastrim parash, mes dhjetëra urdhër-arresteve të SPAK edhe punonjës policie

Gazeta Si – SPAK ka lëshuar urdhër-arreste për disa persona, të cilët dyshohet e janë të përfshirë në kontrabandë mallrash dhe pastrim parash në kuadër të grupit kriminal.

Me urdhër të SPAK është arrestuar shoferi i Ardi Veliut (kreu aktual i AMP-së), Sokol Idrizaj, bashkë me bashkëshorten dhe dy vajzat e tij.

Idrizaj ka qenë shofer i Veliut, kur ky u fundit mbante pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

Pjesë e personave të rënë në “rrjetën” e SPAK, dyshohet se janë edhe 7 oficerë policie, dy prej të cilëve punonin në Portin të Durrësit. Ndërkohë janë edhe 10 urdhër arreste për persona të tjerë.

Operacioni ka nisur që prej orëve të para të mëngjesit të sotëm dhe dyshohet se urdhër arrestet janë lëshuar për veprën e pastrimit të parave, ku janë sekuestruar para, bizhuteri dhe sende të tjera me vlerë.

Në mënyrë paralele, edhe në Francë është zhvilluar ky operacion, ku janë arrestuar dy persona që dyshohet se janë pjesë të këtij grupi.

Shumica e të dyshuarve janë anëtarë të një kompanie transporti ndërsa katër prej tyre ende nuk janë arrestuar dhe janë në kërkim.

Të arrestuarit me urdhër të SPAK akuzohen për: “pastrim parash”, “ushtrim pa licencë i veprimtarisë bankare”, “kontrabandë me mallra të tjera”, “mos deklarim në kufi i të hollave dhe sendeve me vlerë”, “grup i strukturuar kriminal”, “kryerje veprash nga organizata kriminale”.

Bëhet me dije se ky grup dhe dyshimet për të nisën në vitin 2019, kur autoritetet franceze referuan informacion konfidencial palës shqiptare, që një grup po bastiste banesa e merrte sende me vlerë, të cilat përmes një kompanie futeshin në portin e Durrësit, ku dyshohet se ishin implikuar edhe punonjës të Policisë së Shtetit.

Operacioni i përbashkët me autoritetet franceze po kryhet në Tiranë, Dibër, Shkodër dhe Lezhë, është në vijim, teksa vijon ekzekutimi i masave.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë