Futboll

Konte dëshiron të kthehet në Itali, ‘Times’ zbulon kontaktet me Interin

Gazeta Si – Antonio Konte do të kthehet në Itali, në Serinë A. Lajmi bëhet i ditur nga ‘Times’, e përditshmja londineze. Sipas saj, tri javët e kaluara në shtëpi për rehabilitim duket se e kanë bindur trajnerin e Totenhemit të kthehet në Itali në verë.

‘Times’ thekson se ish-trajneri i Interit dhe Juventusit është fokusuar për momentin tek impenjimet e radhës, duke nisur nga ajo me Milanin në Champions. Diskutimet për të ardhmen janë shtyrë për muajt e ardhshëm.

Konte dhe Inzagi. Gazeta Si, 7 mars 2023

“Nëse Totenhemi eliminohet nga Europa, – shkruan ‘Times’, – shtohen mundësitë që Konte dhe klubi anglez të ndahen para skadencës së kontratës, që përfundon në fund të këtij sezoni. Totenhemi ka opsionin për ta zgjatur edhe për një vit kontratën aktuale, por 53-vjeçari italian ka pohuar se do të qëndrojë vetëm nëse do të jetë i lumtur dhe parashikohet që të kthehet në Itali në verë”.

Një rikthim që duket pak i komplikuar, duke pasur parasysh pretendimet ekonomike të Kontes dhe gjendjen e financave për klubet italiane. ‘Times’ bën me dije gjithashtu se javët e fundit ka pasur një “kontakt informal” mes trajnerit dhe Interit për një rikthim të bujshëm pas ndarjes së 2 sezoneve më parë.

Nuk ka asgjë konkrete për momentin, nuk ka një tratativë mes palëve. Megjithatë, në rast të një lamtumire të Simone Inzagit zërat aktualë mund të shndërrohen në diçka konkrete.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë