Një studim i ri sugjeron se fëmijët mund të kenë më shumë gjasa të zhvillojnë diabet të tipit 1 nëse dietat e nënave të tyre gjatë shtatzënisë ishin të pasura me ushqime të lidhura me inflamacion të shkallës së ulët, siç është mishi i kuq dhe pijet me sheqer.
Diabeti i tipit 1, ndonjëherë i quajtur diabet i fëmijërisë, është një gjendje autoimune e shënuar nga inflamacioni kronik i indit pankreatik. Diagnozat kanë qenë në rritje në Europë që nga vitet 1990, duke i shtyrë shkencëtarët të kërkojnë të dhëna se çfarë po e nxit rritjen.
Studimi i ri, i botuar në Journal of Epidemiology & Community Health, tregon se dietat e grave gjatë shtatzënisë mund të jenë pjesë e përgjigjes.
Ai përfshinte gati 68,000 gra në Danimarkë që lindën midis viteve 1996 dhe 2002, dhe i ndoqën fëmijët e tyre për një mesatare prej 17 vitesh. Nënave iu caktuan pikë bazuar në sa inflamatore ishin dietat e tyre në mes të shtatzënisë, të nxjerra nga një anketë që mbulonte 38 grupe ushqimore dhe 360 artikuj.
Inflamacioni mund të jetë i mirë pasi është mënyra se si sistemi imunitar lufton lëndimet ose infeksionet. Por nivelet e larta të inflamacionit gjatë një periudhe të gjatë kohore janë lidhur me probleme shëndetësore si artriti, sëmundjet e zemrës, kanceri dhe diabeti, dhe të ushqyerit ka një ndikim të rëndësishëm.
Shumë ushqime mendohet se kanë veti inflamatore, duke përfshirë mishrat e kuq dhe të përpunuar, pijet e gazuara dhe pijet e tjera me sheqer, bukën dhe makaronat, ushqimet e skuqura në vaj të bollshëm, ndër të tjera.
Nga ana tjetër, gratë shtatzëna kishin rezultate më të ulëta inflamatore në dietë nëse hanin më shumë qepë, domate, drithëra të plota, kafe, perime me gjethe jeshile, peshk, çaj dhe fruta.
Në total, 281 fëmijë u diagnostikuan me diabet të tipit 1, vetëm 0.4 për qind e të gjithë fëmijëve të përfshirë në studim.
Por ata kishin dukshëm më shumë gjasa të ishin diabetikë nëse nënat e tyre kishin pasur dieta më inflamatore gjatë shtatzënisë, zbuloi analiza.
“Ka prova në rritje që inflamacioni në fillim të jetës mund të ndikojë në sistemin imunitar dhe kështu shton rrezikun e sëmundjeve kronike”, tha në një deklaratë Sjurdur Frodi Olsen, studiuesi kryesor i studimit.
Faktorë të tjerë që duket se rrisin rrezikun e diabetit të tipit 1 përfshijnë marrjen e glutenit nga nëna dhe pirjen e duhanit gjatë shtatzënisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.