Shendet

Konsumimi i ‘frymës së dragoit’, mjekët: Mund të dëmtojë organet

U nis si një trend në TikTok por tani të gjithë në botë po konsumojnë “Dragon’s breath” (fryma e dragoit). Janë patatina që konsumohen me azot të lëngshëm). Ky produkt konsumohet në masë edhe në vendin tonë.

Mjekët në të gjithë botën po paralajmërojnë njerëzit kundër konsumimit të azotit të lëngshëm pasi më shumë se 20 fëmijë në Indonezi u sëmurën duke i ngrënë.

“Fëmijët pësuan djegie në lëkurë, dhimbje të forta stomaku dhe helmim nga ushqimi pasi konsumuan patatinat shumëngjyrëshe”, shkruan Ministria e Shëndetësisë të Indonezisë, e cila u bën thirrje prindërve, mësuesve dhe autoriteteve shëndetësore që të jenë vigjilentë.

Patatinat zhyten në azot të lëngshëm për të krijuar një efekt avulli kur hahen. Në rrjetet sociale ka shumë video që tregojnë fëmijë dhe të rinj që i konsumojnë dhe disa prej atyre videove janë parë deri në 10 milion herë.

Përdorimi i azotit të lëngshëm në përgatitjen e ushqimit nuk është i paligjshëm. Kuzhinierët shpesh përdorin avujt për të krijuar “efekte teatrale” kur shërbejnë pjatat. Është pa ngjyrë dhe pa erë, dhe përdoret zakonisht dhe si një përbërës për ngrirjen e ushqimit.

Megjithatë, kur nuk përdoret siç duhet, mund të jetë i rrezikshëm.

“Azoti i lëngshëm nuk është vetëm i rrezikshëm kur konsumohet, por mund të shkaktojë vështirësi të rënda në frymëmarrje nga tymrat e azotit që thithen për një kohë të gjatë”, tha Ministri i shëndetësisë në Indonezi, Maxi Rein Rondonuwu.

Rasti i parë u raportua në korrik 2022, sipas ministrisë, kur një fëmijë pësoi djegie në lëkurën e tij pasi konsumoi dragon’s breath.

Më shumë raste u raportuan në nëntor dhe dhjetor, duke përfshirë një djalë 4-vjeçar i cili u shtrua në spital me dhimbje të forta stomaku.

“Shkollat duhet të edukojnë fëmijët për rreziqet e azotit të lëngshëm në ushqim për të parandaluar më shumë raste të helmimeve të rënda nga ushqimi”, tha ministri.

“Unë nuk do të këshilloja askënd ta hante atë” shtoi ai.

Në vitin 2018, Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) paralajmëroi se nga ngrënia e ushqimeve si akullore, drithëra ose kokteje të përgatitura me azot të lëngshëm mund të ketë lëndime serioze.

“Kanë ndodhur lëndime nga ngrënia e produkteve të përgatitura duke shtuar azot të lëngshëm, edhe pasi azoti i lëngshëm është avulluar plotësisht”, tha FDA.

“Është një përbërje kimike e rrezikshme”, tha Clarence Yeo, mjek.

“Irriton stomakun dhe mund të shkaktojë djegie në gojë dhe ezofag. Fëmijët rrezikojnë shumë nëse e konsumojnë atë në sasi të mëdha. Mund të shkojë deri në dëmtim të organeve”, tha ai.

Burimi: CNN. Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë