Para

Konsumi në tre muajt e parë të vitit, më i ulti në tre vitet e fundit

Kriza e shkaktuar nga pandemia ka dëmtuar edhe konsumin.

Të dhënat nga Raporti i Politikës Monetare të Bankës së Shqipërisë, tregojnë se konsumi privat vijoi rritjen gjatë tremujorit të parë, por me ritmin më të ulët të tre viteve të fundit.

Rritja vjetore e konsumit privat ishte 1.1%, duke dhënë kontribut pozitiv prej 0.9 pikë përqindjeje në kërkesën agregate.

Banka thotë se të dhëna të tërthorta tregojnë se konsumi privat shënoi rënie në muajin mars, pas vendosjes së masave për të frenuar përhapjen e pandemisë Covid-19. Konsumatorët reduktuan shpenzimet për shërbime dhe për blerjen e mallrave për përdorim afatgjatë.

Nga ana tjetër, shpenzimet konsumatore për mallra konsumi afatshkurtër vijuan rritjen përgjatë tre muajve të parë të vitit, duke dhënë kontribut pozitiv në konsumin total të familjeve për tremujorin e dytë.

Sipas BSH-së, faktorët që kanë mbështetur konsumin privat në tremujorin e parë janë ulja e normës së papunësisë gjatë viteve të fundit dhe pozita më e mirë financiare e individëve. Po ashtu ka ndikuar pozitivisht dhe rritja e remitancave në këtë tremujor.

BSH parashikon që masat kufizuese gjatë tremujorit të dytë priten të kenë ndikuar negativisht konsumin privat, veçanërisht në sektorin e shërbimeve dhe në kategorinë e mallrave me përdorim afatgjatë. Besimi konsumator, i cili u përkeqësua disi në tremujorin e parë, regjistroi rënien më të theksuar tremujore në tremujorin e dytë. Shpejtësia dhe masa e rikuperimit të konsumit privat do të varet nga kushtet në tregun e punës, pasiguria lidhur me krizën e shëndetit dhe efekti që kjo do të ketë në sjelljen konsumatore.

Kërkesa e brendshme u zvogëlua po ashtu me 2.1% gjatë tremujorit të parë të vitit 2020, rënie kjo më e thellë se ajo e tremujorit të mëparshëm (-1.4%), kryesisht për shkak të rënies së investimeve me 16.7%.

Në të njëjtën kohë, konsumi publik është rritur me norma të ulëta 0.6%, në ngadalësim krahasuar me tremujorët e mëparshëm.

BSH parashikon një thellim të tkurrjes së kërkesës së brendshme gjatë tremujorit të dytë, kur edhe impakti ekonomik nga pandemia vlerësohet më i fortë. Kontribute negative priten si nga konsumi ashtu edhe nga investimet.

Për sa i përket kërkesës së huaj neto, eksportet dhe importet pritet të zvogëlohen.

Për shkak të intensitetit më të lartë importues, rezultantja në komponentin e eksporteve neto pritet të jetë pozitive.

Banka parashikon se tkurrja ekonomike do të jetë edhe më të thellë gjatë tremujorit të dytë të vitit, si pasojë e zgjerimit të efektit negativ të pandemisë. Këto ndikime do të prekin si konsumin, ashtu dhe investimet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë